Një udhëtim drejt një plazhi përrallor grek u kthye në një aventurë për t’u harruar për disa turistë, të cilëve iu kërkua të hidhen në det me gjithë rroba e çanta për të arritur në breg.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se si pushuesit detyrohen të mbajnë çantat mbi kokë për të arritur në një plazh në ishullin e Kretës.
Sipas raportimeve të mediave lokale, ata u detyruan të dilnin në breg në këtë mënyrë për shkak se zyrtarët kanë ndaluar përdorimin e platformave të anijeve, për të shmangur mbipopullimin e plazheve.
Megjithatë, pasi panë videot, autoritetet ranë dakord që të instalonin një platformë për zbritjen e turistëve.
Turistët, që sipas mediave lokale ishin amerikanë, shprehën hapur pakënaqësinë e tyre për këtë situatë, aq më tepër që më të vegjlit dhe më të moshuarit u detyruan të qëndronin në anije për shkak se ishte e rrezikshme të zbrisnin si gjithë të tjerët.
Greqia, por edhe shtete të tjera europiane si Italia dhe Spanja, janë disa nga destinacionet kryesore të pushimeve verore për turistë nga veriu i Europës por edhe Shtetet e Bashkuara. Shpesh, banorët vendas kanë protestuar kundër mbipopullimit nga turizmi.
Parulla kundër turistëve janë parë të shkruhen nëpër mure në Athinë e qytete të tjera, por edhe në ishuj të Spanjës, si Menorka apo Marbeja. Në Barcelonë, javën e kaluar, disa banorë vendas lagën turistët me ujë teksa ata po qëndronin në restorante.