Manchester City ka bërë goditjen e parë në merkaton e verës, duke transferuar në Premier League brazilianin e talentuar Savinho.
Futbollisti 20-vjeçar shkëlqeu sezonin e kaluar te Girona, që ishte surpriza e kampionatit të kaluar spanjoll, por ishte në pronësi të francezëve të Troyes, një klub satelit i Manchester City, pasi është në pronësi të “City Football Group”.
Pikërisht kjo lidhje lehtësoi edhe më shumë punën e Pep Guardiolës për të mundësuar transferimin e brazilianit në “Etihad Stadium”.
Savinho luajti 41 ndeshje me Girona në të gjithë kompeticionet dhe arriti të shënojë 11 gola.
Braziliani ka firmosur me Manchester City një kontratë për 5 sezonet e ardhshme, teksa ka zbuluar se do të mbajë të veshur fanellën me numrin 26.