Policia e Shtetit ka vënë në pranga këngëtarin e njohur Noizy (Rigels Rajku), i cili disa ditë më parë ishte shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare në lidhje me një sherr të dhunshëm që ndodhi në një diskotekë në Pejë, ku pati një përleshje mes disa personave.
Sipas të dhënave, Noizy është ndaluar në zonën e Shëngjinit teksa ishte duke shkuar të përformonte në një lokal në qytetin bregdetar.
Sipas të dhënave paraprake, së bashku me Noizyn është arrestuar dhe Bahtjar Bajraktari, i njohur me emrin e artit D.J. Crax, i shpallur në kërkim po për të njëjtën ngjarje në Kosovë, ku disa persona u përfshinë në një sherr të dhunshëm në një lokal në Pejë, ku mbeti i plagosur shtetasi Medi Iseni.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.
Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.
Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë”, shkruhet në njoftim.
Noizy dhe DJ. Crax në reagimet e tyre në rrjetet sociale për këtë ngjarje, mohojnë të jenë përfshirë në këtë sherr.
Noizy ka deklaruar më herët në rrjetet e tij sociale se nuk ka qenë i përfshirë në sherrin me personazhin e TikTok Medi Iseni, i cili mbeti i plagosur gjatë sherrit në Pejë.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia e Kosovës ka shpallur në kërkim dhe reperin tjetër shqiptar Stresi dhe DJ Crax.