Tontejnerët e transportit, të mbushura me tonelata mbetjesh të rrezikshme industriale nga Shqipëria, tani planifikohen të kthehen në Evropë. E gjitha pasi 2 ditë më parë u dha alarmi se ato po eksportoheshin ilegalisht në Azinë Juglindore. Anija “AP Moller-Maersk A/S” që mban 40 kontejnerë me mbeturina do të mbërrijë nesër në Singapor dhe ngarkesa do të kthehet pas në Itali, sipas faqes së internetit të gjurmimit të ngarkesave detare të MSC Mediterranean Shipping Company SA. “Maersk” po punon me autoritetet e Singaporit dhe linjën e transportit detar, e cila po transporton kontejnerët “për të siguruar që kontejnerët do të ‘riatdhesohen’ në Shqipëri.
Sipas Bloomberg, 60 kontejnerë të tjerë me mbetje që ndodhen aktualisht në bordin e Maersk Candor, i cili pritet në Singapor më vonë këtë muaj, do të kthehen gjithashtu në Evropë. Zyrtarët kanë punuar për të ndaluar dërgesën që kur “Basel Action Network”, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë e lëndëve toksike, informoi javën e kaluar Tajlandën se po i shkonin 800 kontejnerë me lëndë të dëmshme.
MSC dhe autoritetet shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, ndërsa autoritetet e Singaporit thanë se nuk ishin në gjendje të komentonin ende lidhur me rastin. Maersk tha se asnjë nga kontejnerët nuk ishte deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, përndryshe do të kishte refuzuar transportin e tyre. Edhe vetë “Bloomberg News” nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur se çfarë po transportonin anijet.
Kompanitë që eksportojnë dhe marrin kontejnerët gjithashtu ende nuk janë identifikuar.
Maersk Campton – e cila kishte fikur transmetimin e vendndodhjes së tij – tani e ka rindezur dhe po lundron nëpër ngushticën e Malacca. Sipas tyre, radarin e kishin fikur kur ishin afër Cape Town në Afrikën e Jugut për shkak të trazirave në rajon.
Vitet e shkuara, Tajlanda dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore kanë parë një fluks mbeturinash nga vendet e zhvilluara, nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike, të cilat mund të jenë të mbushura me toksina. Sipas Konventës së Bazelit të Kombeve të Bashkuara – një pakt global i nënshkruar nga shumë ekonomi të zhvilluara – vendet duhet të japin pëlqimin që të marrin mbeturinat. Duke qenë se kjo konventë është shkelur, autoritetet tajlandeze janë ende duke komunikuar me zyrtarë të tjerë të huaj përgjegjës për monitorimin e dërgesës.
“Tajlanda do të bllokojë dhe nuk do të lejojë që mbetjet e rrezikshme të transportohen në vend,”- tha një zyrtar në Departamentin e Punëve Industriale.
Rrjeti i Veprimit Basel, i cili më parë ka alarmuar Malajzinë për dërgesat e paligjshme të mbetjeve elektronike, bëri thirrje që dërgesat të kthehen në Shqipëri dhe të ndëshkohen tregtarët e përfshirë. Ngarkesa ishte nisur nga porti shqiptar i Durrësit në korrik dhe do të mbërrinte në Tajlandë si destinacioni përfundimtar më vonë këtë muaj. “Pluhuri i furrës”, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.