Facebook ndalon “deep fake”, domethënë videot e krijuara me një teknikë që shfrytëzon inteligjencën artificial për të mbivendosur dy fytyra në një video, duke krijuar kështu një shkëmbim identiteti dhe duke lejuar që një personi t’i vihen fjalë që nuk i ka thënë kurrë.
Kompania e Mark Zuckerberg, tashmë në fushë me projektin “Sfida e zbulimit të deep fake”, së bashku me të tjerë gjigantë, si Microsoft e Amazon, njoftoi se do të heqë nga platforma e tij përmbajtjet e manipuluara me qëllim gënjeshtrën, por duke ruajtur paroditë e satirat.
Ky njoftim vjen në një çast kur rrjeteve sociale u është kërkuar që të pastrojnë platformat e tyre nga lajmet e rreme dhe përmbajtjet e gënjeshtërta, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale amerikane në fund të vitit 2020.
Për të kuptuar nëse një video është e manipuluar, kompania do të mbështetet te 50 partnerët e saj botërorë, për një kontroll të fakteve në 40 gjuhë.
Muajin e kaluar, rrjeti social nisi një bashkëpunim me Reuters për të krijuar një kurs në internet, që i ndihmon gazetarët të njohin “deep fake” dhe të mos bien pre e gënjeshtrave./ATSH/