Qeveria e kryeministrit konservator, Boris Johnson paraqiti sot për deputetët britanikë ligjin kryesor, që kërkon të zyrtarizojë Brexit-in deri në fund të këtij muaji.
Sekretari i Brexit-it, Steve Barclay prezantoi projektligjin për Marrëveshjen e Tërheqjes nga BE, për shqyrtim të detajuar nga dhoma kryesore e zgjedhur e parlamentit, ajo e Komuneve.
“Ky projektligj zbaton marrëveshjen e tërheqjes të negociuar nga kryeministri”, deklaroi Barclay.
“Përmbush vullnetin e popullit britanik dhe do t’i lërë vendin të ardhmes tonë të shndritshme jashtë Bashkimit Evropian,” shtoi ai.
Deputetët mbështetën projektligjin muajin e kaluar pasi konservatorët e Johnsonit fituan një shumicë parlamentare prej 80 votash në zgjedhjet e parakohshme.
Nesër, pas tre ditësh debati, pritet një tjetër votim.
Johnson ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë një qeveri të popullit, duke përmbushur përparësitë e tij dhe duke i dhënë lamtumirën përçarjes, pasigurisë dhe mllefit që e ka penguar këtë vend për shumë kohë./ATSH/