Një rrugë e lënë në harresë detyrimisht të çon në një zonë, e cila gjithashtu ka shenja të dukshme të harresës.
I tillë është fshati Cahan në bashkinë e Hasit. Edhe pse është i listuar si një ndër 100 fshatrat turistik të vendit, duket se në këtë zonë ende nuk është vënë dorë. Ndërsa ata pak njerëz që takon të tregojnë se në Cahan mungojnë elementët bazikë për të zhvilluar jetën. “Arsyeja numër një është rruga, së dyti është uji dhe së treti energjia elektrike”, thotë një banor i fshatit për A2 CNN.
Por shpresa duket se ende nuk është vrarë. Vendasit na tregojnë se nëse bëhet të paktën rruga, atëherë zona në pak kohë do të ndryshojë rrënjësisht nga gjendja që është aktualisht.
Vëmendja e qeverisë tashmë te zonat rurale dhe veçanërisht te 100 fshatrat e listuar turistik, mban me shpresë edhe banorët e Cahanit se zona e tyre mund të rigjallërohet sërish.