Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar ndaj dekoratës së Lideri suprem i Iranit, duke pohuar se Shqipëria qëndron e palëkundur përkrah SHBA-së dhe shteteve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, gjatë ditës së sotme e quajti Shqipërinë si “një vend shumë të vogël, por shumë të djallëzuar evropian”.
E ndaj kësaj deklarate ka reaguar kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta.
Meta ka thënë se Shqipëria nuk është një vend i djallëzor, por një vend demokratik.
“Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë e lig e paparë dhe për pasojë, të drejtat e njeriut i konsideron të shenjta. Tash e dy dekada, Shqipëria qëndron e palëkundur përkrah SHBA-së dhe shteteve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo veprimi tjetër që rrezikon stabilitetin dhe paqen botërore”, ka theksuar Meta.
Meta po ashtu ka deklaruar se Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare në interes të paqes.
“Raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombëtare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes”, shprehet Presidenti Meta.