Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për “Dizinformimin”, Erion Braçe, tha të mërkurën se në fushatat zgjedhore qarkullon një “lumë i madh parash” nga burime të paligjshme dhe të huaja, gjatë një mbledhje ku u diskutua nevoja për kontrollin e këtyre financimeve.
“Ne e shikojmë që në fushata elektorale ka lumë parash, lumë, lumë parash dhe një lumë që nuk korrespondon fare me atë që deklarohet zyrtarisht pranë institucionit,” tha Braçe duke iu drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjet, Ilirian Celibashi, i thirrur në seancë dëgjimore në komision.
Braçe e konsideroi këtë një shqetësim të madh dhe shtoi se “lumi i madh i parave, përfshirë dhe para të krimit, vjen nga burime brenda dhe jashtë vendit”.
Komisioni që ai drejton është ngritur me qëllim “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit” dhe një prej tyre lidhet me financimet e mundshme në fushatat zgjedhore.
“S’do dalë Putin apo Ajtollahu të thotë… po skemat janë të qarta, gjendet një guackë një burim që e bën këtë gjë,” aludoi Braçe, duke propozuar që të krijohet një mekanizëm kontrolli pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këtë gjë.
Sipas Braçes, instrumenti i kontrollit duhet të bëhet “i gjerë dhe agresiv” në raport me ndërhyrjet e këtij lloji.
Nga ana e tij, Komisioneri Celibashi parashtroi kufizimet që ka KQZ për monitorimin e financimeve të partive dhe sidomos të burimit të këtyre financimeve, duke e quajtur këtë një çështje penale që del jashtë juridiksionit të këtij institucioni.
“Do ishte naive që përmes mekanizmave të KQZ-së të merret informacion dhe më pas të vlerësonte financime që vijnë nga veprimtari të paligjshme dhe kriminale apo nga shtete të huaja,” tha Celibashi në Komision.
Sipas tij, deri më tani procesi i monitorimit është formal, vetëm nëpërmjet ballafaqimit të shifrave me një auditim kontabël dhe se ka nevojë për përmirësimin e mekanizmave të raportimit nga Partitë Politike për proceset zgjedhore dhe për financimet nga palë të treta.
Transparenca e financave të partive dhe kandidatëve në zgjedhje është një problematikë e konstatuar nga raportet vëzhguese në të gjitha proceset zgjedhore, ndërsa mekanizmat ligjorë janë të mangët për kontrollin e vërtetësisë së deklarimeve të tyre pranë KQZ-së.