Fillimi i sezonit 2024/2025 për Real Madridin nuk ka shkuar ashtu siç drejtuesit dhe lojtarët kanë menduar.
Ata kanë lëshuar pikë në katër nga 11 ndeshjet e luajtura deri më tani (3 barazime, 1 humbje) dhe për shkak se këto duele pa fitore kanë ardhur në La Liga, do të thotë se ata janë mbrapa Barcelonës për tri pikë.
Shumë njerëz kanë pritur që Real Madridi ta fitojë me lehtësi për herë të dytë radhazi La Ligan, veçanërisht pas transferimit të Kylian Mbappes.
Sidoqoftë, kjo nuk është dëshmuar të paktën deri më tani dhe legjenda franceze Emmanuel Petit ka thënë se arsyeja për këtë është mjaft e qartë.
“Ka shumë gjëra që Real Madridi duhet t’i menaxhojë, si vetëbesimi dhe ego. Problemi kryesor për Real Madridin nuk është Mbappe, është në mesfushë”.
“Toni Kroos nuk është aty dhe Luka Modric nuk është lojtari i cili ishte dikur. Për mua, Kroos ishte njeriu kryesor dhe ai po mungon deri në atë pikë sa ata nuk duken më skuadra e njëjtë”.
“Ata kanë kualitet të madh individual, por nuk duken si një ekip më. Gjatë viteve të fundit, ata kanë fituar trofe sepse po luanin si skuadër, për momentin, ata po vuajnë që ta kenë të njëjtën ndjenjë”, ka thënë Petit.
Real Madridi vendosi që të mos nënshkruaj me një mesfushor të ri pas pensionimit të gjermanit duke u mbështetur tek opsionet që kanë në ekip si Eduardo Camavinga dhe Aurelien Tchouameni.