E ftuar në SYRI TV me Arnold Karriqin, anëtarja e Këshillit Kombtar PD, Jola Hysaj ka folur për premtimet boshe për rindërtimin e shkollave në Durrës dhe në të gjithë qytetet e Shqipërisë.
Hysaj denoncoi se shkolla ‘’Kushtrimi i Lirimit’ në Durrës, edhe pse është pjesë e projekteve të financuara nga BE me një fond prej 75 milionë euro për disa shkolla kopshte dhe çerdhe në disa bashki të vendit, por ndërkohë bordi i kësaj shkolle i ka kërkuar prindërve të paguajnë një kontribut vullnetar për mirëmbajtjen.
‘Janë 75 milionë euro të cilat janë 100% të investuara nga BE. Çfarë ka bërë Bashkia e Durrësit në këtë rast? Kush është fondi që ka alokuar vetë bashkia nga buxheti vjetor për institucionet arsimore’, theksoi Hysaj në studio.
Hysaj: Më vjen një mesazh ku shkruhej që bordi i shkollës Kushtrimi i Lirimit i kishte kërkuar prindërve të fëmijëve një buxhet 10 mijë lekë të vjetra për pjesën e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së shkollës, gjë që nuk është detyrë as e prindërve as e mësuesve që duhet të bëjnë kërkuesin e lëmoshës.
Mora shkas nga kjo shkresë që më erdhi dhe fillova të investigoj për këtë shkollë. Në 2019 fondi i BE nëpërmjet ‘EU4schools’ ka dhënë një buxhet prej 75 milionë euro për bashkitë e Durrësit, Kamzës Kavajës dhe Kurbinit ku nga këto 18 shkolla kopshte dhe çerdhe janë të Durrësit. Më figuronte që kjo shkollë ishte e përzgjedhur nga këto fonde dhe pjesë e projektit është edhe mirëmbajtja e shkollës.
Ajo që më shokoi në vitin 2024 është se në kërkesën e bordit vazhdojmë të merremi me udhëzimin e 2007 ndërkohë që në arsimin shqiptar deri në 2024 nuk ka ngelur ligj pa u ndryshuar.
Pra kur na leverdis marrim 2007 kur nuk na leverdis marrim fondet e BE që janë 100% për rindërtimin rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e këtyre shkollave.
Janë 75 milionë euro të cilat janë 100% të investuara nga BE. Çfarë ka bërë Bashkia e Durrësit në këtë rast? Kush është fondi që ka alokuar vetë bashkia nga buxheti vjetor për institucionet arsimore. Çfarë bën bashkia pasi grumbullon taksën e infrastrukturës arsimore të përkohshme nga biznesi i madh, i cili është 120 mijë lekë të vjetra në vit nga çdo biznes. Dhe në fund të gjitha këto të ardhura nuk dalin për të paguar rojen e shkollës?
E njëjta situatë është edhe në Tiranë, në Kurbin, edhe në Fier, Elbasan dhe po e njëjta situatë është në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Nga denoncimet që më kanë ardhur kjo situatë ndodh edhe në çerdhe në kopshte, ku paguan shumë por nga ana tjetër je i detyruar të marrësh edhe letrën higjenike edhe letrën e lagur, vazhdon të paguash edhe pjesën që i takon shtetit për pagesë. Dhe shërbimi nuk është po ai.
Në vitin 2024 vazhdon të varesh nga një udhëzim i 2007 si justifikim për të mos paguar një person që është i borderosë. Nuk është vetëm kjo shkollë por kjo ndodh në të gjitha shkollat dhe kopshtet e Durrësit.