Pas dorëzimit të Platformës, në Kuvendin e Kosovës, për dialogun me Serbinë, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se nga ajo platformë garantohet integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës, duke e bërë të qartë se në platformë nuk është përfshirë ideja për korrigjimin e kufijve
“Viti 2019 është viti kur Kosova do të anëtarësohet në OKB, është viti që Kosovës do t’i hapet rruga drejt NATO-s, viti i liberalizimit të vizave, dhe viti i integrimit në BE. Sot delegacioni shtetëror ka dorëzuar platformën për dialogun për marrëveshjen finale për normalizimin e raporteve me Serbinë. Kjo është baza që do ti propozohet Kuvendit. Garanton integritet të plotë të shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Nuk do të ketë Asociacion. Garanton edhe përgjegjësitë që ka shteti i jonë, për vëllezërit tanë shqiptarë në Serbi, që t’iu respektohet të drejtat e tyre”, ka thënë Veseli.
Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti ka thënë se të gjitha parimet e platformës janë të mbështetura në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Sot i japim fund spekulimeve se çfarë bëhet fjalë në këtë platformë. Në këto 11 parime, e kemi bërë të qartë se cili është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës nëse aprovohet nga Kuvendi, karshi marrëveshjes finale me Serbinë. Platforma bazohet plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, sa i përket sovranitetit dhe integritet territorial të Republikës së Kosovës. Dhe këtë do ta ruajmë”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se në platformë është përmendur edhe puna e resurseve të Republikës së Kosovës, që sipas platformës, ato janë e drejtë ekskluzive të Republikës së Kosovës.
“Resurset që janë në Republikën e Kosovës, janë e drejtë ekskluzive e Republikës së Kosovës dhe është e drejtë e Kosovës që t’i shfrytëzoje ato”, ka shtuar Ahmeti.
Kurse Fatmir Limaj ka thënë se në këtë platformë do të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës, dhe se nuk do të ketë që në atë dokument pretendime që Kosova ka karshi shteteve tjera.