Pas daljes nga SPAK, ai tha për mediat se është pyetur si protestues, ndërsa theksoi se në atë protestë u vranë 4 persona dhe nuk mund të lihet pa u zbardhur si ngjarje.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme. Çuko është thirrur në SPAK, lidhur me hetimet për ngjarjet e “21 janarit”. Pas daljes nga SPAK, ai tha për mediat se është pyetur si protestues, ndërsa theksoi se në atë protestë u vranë 4 persona dhe nuk mund të lihet pa u zbardhur si ngjarje.
SPAK ka regjistruar procedim penal çështjen në fjalë, ku u vranë 4 protestues në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndërsa vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Gjykata e Lartë urdhëroi Prokurorinë e Posaçme ta regjistrojë procedimin, pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Më 16 korrik të këtij viti Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka rregjistruar një procedim penal mbi ngjarjen e 21 Janarit të vitit 2011. Fillimisht, Prokuroria e Posaçme kishte refuzuar të ndërmerrte hetime pas kallëzimit të bërë pranë saj nga familjarët e Aleks Nikës, një prej 4 demonstruesve të vrarë. Kjo Prokurori kishte vlerësuar se hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Tiranës, nuk kanë zbuluar elementë penalë ndaj subjekteve që hyjnë në juridiksionin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar. Por sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, vetëm pas hetimeve paraprake dhe pasi të arrihej në konkluzionin nëse kishte apo jo elementë të veprës penale referuar kallëzimit, mund të vendosej mbi çështjen.