Një shqiptar i dyshuar si i përfshirë në një grup të krimit të organizuar të trafikut të njerëzve, që i sillte nga Franca dhe Belgjika është ekstraduar në Britani të Madhe pasi ishte arratisur para një viti.
Oficerët e NCA kanë arrestuar shqiptarin Arsen Feçi, 46 vjeç, nga Broxtoëe Street, Nottingham, pasi u soll në aeroportin Heathrow.
Feçi ishte arrestuar në Spanjë në gusht 2024 pasi u arratis nga Britania në mars 2023 kur u lirua me kusht nga gjykatat në pritje të gjyqit të tij.
Feçi u paraqit para Gjykatës së Kurorës së Nottinghamit mëngjesin e djeshëm i akuzuar për ndihmë në emigrimin e paligjshëm në Britaninë e Madhe.
Hetuesit e NCA besojnë se Feçi është i përfshirë në blerjen e pajisjeve dhe sigurimin e njerëzve që do të përbënin stafin e gomoneve për kalimet nga Franca dhe Belgjika drejt Britanisë së Madhe.
Atij i është caktuar masa e paraburgimit dhe më pas do të paraqitet në të njëjtën gjykatë më 16 janar 2025.
Derek Evans, komandanti i degës së NCA, tha:
‘Arsen Feçi u largua nga Britania e Madhe pasi u akuzua për përfshirjen e tij të supozuar në një bandë kontrabande njerëzish që sillte njerëz në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla. Ne besojmë se roli i tij në grup ishte të siguronte pajisje dhe njerëz për të siguruar që kalimet të ishin të suksesshme. Falë policisë spanjolle, Feci tani është arrestuar dhe është kthyer në MB’.