Alicia Kearns, deputete britanike dhe ish-kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ka reaguar sërish për sulmin në Varragë të Zubin Potokut – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, i cili dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit që furnizon me ujë dhe energji disa pjesë të Kosovës.
Ajo ka thënë në platformën “X” të martën se sulmi ndaj infrastrukturës kritike ka qenë një përpjekje e qartë për t’u shkaktuar dëm civilëve, duke shtuar se dështimi i Serbisë për të arrestuar kryebanditin serb, Millan Radoiçiç, përgjegjës për sulmin paramilitar në vitin 2023 në veri të Kosovës, inkurajon të tjerët të kryejnë akte terroriste.
“Dështimi i Serbisë për të arrestuar dhe deportuar Radoçiçin dhe të tjerët përgjegjës për sulmin në Banjskë i inkurajon të tjerët të ndjekin shembullin e tyre, duke besuar se do të gjejnë strehë të sigurt pas akteve të tilla. Britania e Madhe duhet të qëndrojë e vendosur përkrah Kosovës kundër terrorizmit”, ka shkruar mes tjerash Kearns.
Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për orkestrimin e këtij akti, i cili vlerësohet të jetë sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit e ka dënuar ashpër edhe bashkësia e organizuar ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.