Pushteti i sundimtarit të ashpër Bashar al-Asad u përmbys. Gjithçka duhet të dini për të kuptuar gjendjen në Siri?
Kush e kontrollon tani Sirinë?
Asad u rrëzua nga aleanca islamike “Hayat Tahrir al-Sham” (HTS). HTS ka një histori të komplikuar të lidhur me konfliktin sirian. Fillimisht u themelua si Xhabhat al-Nusra në vitin 2011, duke qenë një degë e organizatës terroriste islamiste al-Kaida, e themeluar me ndihmën e Abu Bakr al-Baghdadi, liderit të njohur xhihadist që më vonë drejtoi Shtetin Islamik (IS).
HTS dhe lideri i saj, Abu Muhammad al-Xhulani, vitet e fundit janë distancuar nga organizata terroriste ekstremiste Al-Kaida dhe janë përqendruar tek Siria. Për këtë arsye, HTS nuk është në listën e organizatave terroriste nga Shërbimi Federal Gjerman për Mbrojtjen e Kushtetutës, siç bëri të ditur të hënën (09.12.2024) një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Brendshme të Gjermanisë.
Fitoret ushtarake të HTS, së bashku me grupe të tjera, përfshirë ato me karakter jo-fetar, ndjekin një agjendë kombëtare drejtuar kundër qeverisë siriane,” argumenton qeveria gjermane. Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të dielën në mbrëmje në një videomeseazh, se qeveria e re e Sirisë do të shikohet nga puna që bën.
A ka paqe tani në Siri?
Luftimet mes grupimeve vazhdojnë: Një grup i madh koalicioni që merr pjesë në ofensivën mbi Alepon është Armata Kombëtare Siriane (SNA), e themeluar në vitin 2017 e që bashkon dhjetëra fraksione me ideologji të ndryshme.
Forcat Demokratike Siriane (SDF) janë një koalicion luftëtarësh kryesisht kurdë, përkrahur nga arabët dhe grupe të tjera etnike, që kanë dalë gjatë luftës civile siriane. SDF ka operuar nën udhëheqjen e Njësive të Mbrojtjes Popullore Kurde (YPG) dhe ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga SHBA, veçanërisht gjatë fushatës kundër Shtetit Islamik.
Çfarë roli kanë fuqitë ndërkombëtare
Turqia
Turqia ka ushtruar ndikimin e saj në Siri duke mbështetur grupe të armatosura si HTS dhe SNA. Që nga fillimi i luftës civile, ushtria turke ka kryer disa ndërhyrje ushtarake përtej kufirit në Siri, kryesisht kundër forcave kurde siriane.
Rusia
Rusia ka qenë aleatja më e besueshme e Assad-it, duke ofruar mbështetje ushtarake dhe logjistike gjatë gjithë luftës. Goditjet ajrore dhe trupat e saj e ndihmuan Assad-in të ruante pushtetin për vite, por kapaciteti i saj për të ndërhyrë është zvogëluar ndërkohë që burimet janë devijuar për luftën në Ukrainë. Asadi e ka shpërblyer Rusinë në të kaluarën duke i dhuruar pika të rëndësishme strategjike, sidomos porte në vend.
Irani
Irani e sheh Sirinë si një lidhje jetike në “aksin e rezistencës”, një koalicion milicish në Lindjen e Mesme që lufton kundër ndikimit të SHBA-së dhe Izraelit. Ai ka mbështetur Assad-in duke dislokuar forca iraniane dhe luftëtarë të Hezbollah-ut, ndërsa Damasku lejoi kalimin e armëve nga Irani dhe Iraku në Liban.
Shtetet e Bashkuara
SHBA mbështetën grupet opozitare gjatë fazave të hershme të rebelimit në vitet 2010, por më pas e ndryshuan fokusin në luftën kundër Shtetit Islamik.
Izraeli
Gjatë dekadës së kaluar, Izraeli ka sulmuar shpesh nga ajri asetet e Iranit dhe Hezbollah-ut në Siri. Veprimet e tij synojnë ndërprerjen e dërgesave të armëve për Hezbollahun dhe neutralizimin e kërcënimeve pranë lartësirave të okupuara të Golanit.Të hënën, 9.12. Izraeli njoftoi se do të intensifikojë sulmet ajrore ndaj depove të armëve të avancuara në Siri, me qëllim neutralizimin e kërcënimeve të mundshme pas rënies së presidentit sirian Bashar al-Assad. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se ushtria do të shkatërrojë armët strategjike të rënda në të gjithë Sirinë, përfshirë raketat tokë-ajër, sistemet e mbrojtjes ajrore, raketat tokë-tokë, raketat lundruese, raketat me rreze të gjatë dhe raketat bregdetare. Ministri i Jashtëm, Gideon Saar, theksoi se Izraeli nuk ka interes të ndërhyjë në punët e brendshme të Sirisë, por synon të mbrojë qytetarët e tij duke parandaluar që armët strategjike, si armët kimike të mbetura ose raketat me rreze të gjatë, të bien në duart e ekstremistëve.
Ku ndodhet Bashar al Assad?
Bashar al-Assad dyshohet të jetë në Moskë, sipas agjencive ruse të lajmeve. Dy agjencitë shtetërore, Tass dhe Ria Novosti, raportuan të dielën (08.12.2024), duke cituar një burim në Kremlin, se Rusia i ka dhënë Assad-it azil për arsye humanitare. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, (Syrian Observatory for Human Rights, SOHR), me seli në Mbretërinë e Bashkuar, Asad e la Damaskun të shtunën në mbrëmje rreth orës 22:00 me një avion privat. Edhe burime ushtarake siriane konfirmuan këtë informacion. Damasku është në festë: Video dhe foto në rrjetet sociale tregojnë popullin duke hyrë në pallatin presidencial të sundimtarit të rrëzuar dhe duke festuar.