Komisioni i Venecias publikoi dje opinionin e tij lidhur pyetjet e drejtuara nga kryetarja e Parlamentit pas paqartësisë që socialistët kishin lidhur me rastin “Xhaçka”, cila prevalon, e drejta e deputetit për të votuar pa u diktuar, apo detyrimi për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese?
Lidhur me pyetjen, “a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti?”, Komisioni jep këtë përgjigje në paragrafin 57 të opinionit: “Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e GJK është bazuar në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Përputhshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, si kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizuese për kompetencat vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të miratojë vendimin në përputhje me gjykimin e gjykatës dhe të votojë mbi çështjen e kufizuar, ashtu siç është përcaktuar nga GJK. Pra, Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por është në gjendje të votojë vetëm për çështje, të cilat janë në kompetencën e tij”.
Sa i takon pyetjes së 2 se, “cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, dhe pyetjes 4 “cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre?”, ekspertët e “Venacias” u përgjigjen se kanë marrë në shqyrtim Kushtetutat e disa shteteve dhe kanë arritur në përfundimin se nuk ka një standard të qartë nëse rastet e papajtueshmërisë shqyrtohen nga Parlamenti në disa raste, apo vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
“Lidhur me praktikën shtetërore për dispozitat e papajtueshmërisë dhe rolin e legjislativit dhe organet gjyqësore, gjetjet e analizës tregojnë se nuk ka qasje uniformë për çështjen e papajtueshmëritë. Bazuar në materialin që disponon Komisioni i Venecias të shqyrtuar për këtë opinion, konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit është – në nivel kushtetues – në shumicën e rasteve bëhet në bazë të funksioneve të tjera që mban deputeti. Në disa vende, mund të gjenden aktivitetet (siç janë aktivitetet fitimprurëse) të deputetit, të papajtueshme me detyrën e deputetit (edhe pse kjo nuk është gjithmonë e rregulluar me kushtetutë). Në shumicën e shteteve, subjektet që kanë të drejtë t’i referojnë një çështje një organi gjyqësor janë organe politike ose individë, pjesë e një organi politik dhe zakonisht shqyrtimin e bën një Gjykatë Kushtetuese ose një gjykatë e zakonshme. Vetëm në disa vende, çështja e papajtueshmërisë vendoset nga organi ligjvënës”.
Po ashtu, në opinionin e tij, Komisioni i Venecias sa i takon pyetjes së fundit “A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi? Edhe pse ia njeh Parlamentin të drejtën për krijimin e normave të reja kushtetuese”, shprehet se kufiri për interpretimin e këtyre normave nuk është i qartë.
“Kompetenca për të krijuar norma të reja kushtetuese i takon pushtetit legjislativit dhe Gjykata Kushtetuese ka për detyrë interpretimin autoritativ të normave ekzistuese. Megjithatë, kufiri ndërmjet interpretimit të një norme kushtetuese ekzistuese dhe krijimit të një norme të re kushtetuese nuk është e qartë”, thuhet në raport.
Në një njoftim për shtyp pas publikimit të raportit, Komisioni i Venecias rithekson se është detyrë e institucioneve shtetërore, përfshirë Parlamentin, për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese si një element kyç i shtetit të së drejtës.
“Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare. Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimi parlamentar, por nëse Kushtetuta shpall kompetencën e Parlamentit për të vendosur (dmth., për të votuar) për një çështje të caktuar, përmbajtja e një votimi të tillë duhet të përcaktohet lirisht nga secili deputet vetëm dhe nuk mund të diktohet”,shprehet Komisioni i Venecias.