Një tender me vlerë rreth 300 milionë lekë të vjetra, që kishte për objekt “Rehabilitimin e rezervuarit Qilarisht”, është dhënë nga Bashkia Përmet, e drejtuar nga Alma Hoxha, kompanisë G & M CONSTRUCTION 07.
Kjo kompani është në pronësi të Maliq Zotkaj dhe Oligert Dyrmishi, ku Maliq Zotkaj rezulton të jetë djali i kryetarit aktual të Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj.
Fituesi ka konkurruar në partneritet me kompaninë 2T, në pronësi të Artan Sako dhe Dritan Troksi. Kujtojmë se Artan Sako është vëllai i ish-komandantit të Gardës së Republikës, Gramos Sako.
Tenderi u finalizua me një vlerë prej 24,291,841.78 lekë të reja pa TVSH, e cila përkon me gati 100% të fondit limit, që ishte 24,805,385.84 lekë të reja. Edhe pse në garë morën pjesë pesë kompani, dy prej tyre ofruan vlera më të ulëta se fituesi, por nuk u morën në konsideratë nga kryetarja e bashkisë Përmet, Alma Hoxha.
Ky fakt ka ngritur dyshime mbi një favorizim të mundshëm, duke sugjeruar se fituesi mund të jetë paracaktuar.
Kjo situatë ngre shqetësime të thella mbi mënyrën se si përdoren fondet publike. Paratë e taksapaguesve shqiptarë duket se përfundojnë në duart e familjarëve të zyrtarëve lokalë, duke krijuar një rreth vicioz të përfitimeve brenda eksponentëve të Rilindjes.
Kjo praktikë ka ndezur debat mbi integritetin e procesit të tenderimit në bashki të ndryshme dhe mbi rolin e SPAK-ut, që deri tani duket se po tregon një qasje pasive.
A është e ligjshme kjo situatë? Çfarë hapash do të ndërmerren për të hetuar këtë rast dhe për të garantuar drejtësi? Heshtja e institucioneve përkatëse mund të interpretohet si një mungesë vullneti për të adresuar praktika që dëmtojnë interesin publik dhe rrisin mosbesimin tek administrata vendore./ JOQ Albania