Britania e Madhe do t’i tejkalojë homologët evropianë në 15 vitet e ardhshme, duke e ndihmuar të qëndrojë midis ekonomive më të mëdha në botë, sipas parashikimeve afatgjata.
Britania dhe Franca do të mbeten përkatësisht në pozicionin e gjashtë dhe të shtatë deri në vitin 2039, ndërsa Gjermania, Italia dhe Spanja do të zbresin në tabelën e liderëve, parashikoi Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznesi.
Vlerësimi optimist do të mirëpritet nga kryeministri britanik Keir Starmer pasi shifrat zyrtare këtë javë treguan se ekonomia nuk ka arritur të rritet që kur qeveria e tij laburiste mori pushtetin në korrik.
Starmer shpreson që planet e tij për të ofruar rritjen më të shpejtë të qëndrueshme në vendet e G7, përmes një vale reformash të planifikimit, ndërtimit të shtëpive dhe investimeve publike, përfundimisht do të korrin sukses pas një fillimi të vështirë për Laburistët. Megjithatë, Qendra e Kërkimeve sugjeroi se problemet do të vazhdojnë të pengojnë ekonominë britanike.
“Ndërsa kjo perspektivë është dukshëm më e mirë se homologët kryesorë evropianë si Franca dhe Gjermania, kjo pasqyron më shumë një rënie për ekonomitë e eurozonës sesa një rritje të fortë të Mbretërisë së Bashkuar,” shpjegojnë analistët.
Ekonomia gjermane pritet të jetë 20 për qind më e madhe se ajo e Britanisë në vitin 2039, krahasuar me 31 për qind që është tani. Gjithashtu, Britania do të kalojë Francën dhe do të zgjerohet 25 për qind më shumë se Parisi për sa i përket prodhimit deri në vitin 2039.
Edhe pse taksat e larta të Laburistëve do të nënkuptojnë rritje më të dobët të aktivitetit në afat të shkurtër, pritet që norma e rritjes të arrijë në 1.8 për qind në terma afatgjatë.
Sipas ekspertëve, SHBA do të ruajë kurorën e saj si ekonomia më e madhe në botë, duke penguar konkurrencën nga Kina. Për sa u përket të ardhurave për frymë, Britania parashikohet të ngjitet në vendin e 21-të, menjëherë pas Maltës, Gjermanisë dhe Suedisë. Luksemburgu parashikohet të mbetet vendi më i pasur në botë në këtë aspekt, i ndjekur nga Irlanda dhe Zvicra.