Juria e Gjykatës së Apelit të Belgjikës ka konfirmuar të martën në mbrëmje fajësinë për vrasësit e aktivistit shqiptar nga Kosova, Enver Hadri.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një postim në Facebook, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës së Apelit në Belgjikë, ku e ka quajtur si triumf i drejtësisë për Enver Hadrin,.
“Gjykata Penale në Bruksel ua ka konfirmuar fajësinë për vrasjen e aktivistit Enver Hadri, dy autorëve të dënuar të këtij atentati politik, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Këta të dy së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar në vitin 2016 me burgim të përjetshëm për vrasjen e Enver Hadrit në vitin 1990 në Bruksel”, thotë ai.
Kurti, gjithashtu ka shkruar se fatkeqësisht procesi gjyqësor u zhvilluar në mungesë të tre të akuzuarve.
“Fatkeqësisht, ashtu sikurse gjykimi fillestar edhe shqyrtimi i ankesave të dy nga tre të dënuarit, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, u zhvillua në një proces gjyqësor në mungesë të tre të akuzuarve dhe të dënuarve, pasi që autoritetet e Serbisë kanë refuzuar t’i dorëzojnë ata te autoritetet e drejtësisë në Belgjikë. Të porositur nga shërbimi serb i zbulimit, Veselin Vukotiq, Andrija Drashkoviq dhe Bozhidar Spasiq, në bashkëkryerje kishin qenë pjesë e ekzekutimit të atentatit ndaj Enver Hadrit. Për përfshirje në vrasjen e Hadrit, kanë qenë të dyshuar edhe disa të tjerë, dy prej të cilëve qenë vrarë në konflikte mes grupesh kriminale serbe më vonë. Me këtë rast, për kurajon e tyre që të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Apelit në Bruksel, u shpreh konsideratat e mia familjes Hadri”, u shpreh kryeministri.
Po ashtu, Kurti në reagimin e tij ka deklaruar se më 10 janar 2025, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndarjen e 100 mijë eurove për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare për procesin gjyqësor për familjarët e veprimtarit Enver Hadri.
Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe disa nga aktivitetet e Enver Hadrit.
“I lindur në Pejë më 2 prill 1941, Enver Hadri ishte vetëm tre vjeç kur më 31 dhjetor 1944, autoritetet serbe e arrestuan babain e tij Islam Hadrin dhe e vranë. Më 1972 ai emigroi në Belgjikë, ku në Bruksel u angazhua në organizatën Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës. Gjatë asaj kohe, Hadri shkruante dhe botonte te organi i kësaj organizate politike, “Zëri i Kosovës”. Në Bruksel, Enver Hadri e drejtoi Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, duke rënë në sy të autoriteteve serbe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe shtypjes së shqiptarëve nën Jugosllavi. Kështu, shërbimet sekrete serbe dhe jugosllave i organizuan atentat në Bruksel dhe e vranë më 25 shkurt 1990”, tha mes tjerash ai.
Kurti theksoi se “Ky konfirmim i sistemit të drejtësisë së Belgjikës për dënimet paraprake me burgim të përjetshëm për vrasësit e Enver Hadrit, është një triumf i drejtësisë që për t’u kompletuar, do të duhej të pasohej nga bashkëpunimi i autoriteteve të Serbisë duke i dorëzuar këta tre vrasës te autoritetet e Belgjikës”.
“Mirënjohje veprimtarit Enver Hadri dhe lavdi veprës së tij”.
Ndryshe, juria e Gjykatës së Apelit të Belgjikës ka konfirmuar të martën në mbrëmje fajësinë për vrasësit e aktivistit shqiptar nga Kosova, Enver Hadri.
Pas gati tri javë shqyrtimi gjyqësor, që është zhvilluar pasi dy nga tre të akuzuarit dhe të dënuarit kanë deponuar ankesë në vendimin paraprak gjyqësor. Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i shërbimeve sekrete serbe, si dhe Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, në vitin 2016 janë shpallur fajtorë për vrasjen e Enver Hadrit.
Atyre iu është shqiptuar dënimi i përjetshëm. Vetëm dy nga tre të dënuarit: Spasiq dhe Drashkoviq kanë deponuar ankesë. Të tre janë dënuar në mungesë sikur në vitin 2016, ndërsa edhe rigjykimi është mbajtur pa prezencën e tyre, meqë të tre janë në Serbi.