Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme i kanë kërkuar llogari Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mosmarrjen e masave të sigurisë gjatë protestës së mbështetësve të Erion Veliajt para gjykatës, teksa kryebashkiakut i verifikohej masa “arrest në burg”.
Përmes një shkrese drejtuar tyre, SPAK dhe GJKKO kërkojnë vënien para përgjegjësisë administrative apo ligjore të personave përgjegjës në Policinë e Shtetit, që sipas tyre, kanë shkelur ligjin duke mos garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në shkresën që i është bërë me dijeni edhe Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe KLGJ-së, Gjykata e Posaçme dhe SPAK theksojnë se efektivët e Gardës së Republikës, që kanë për detyrë sigurinë brenda perimetrit të godinës, dhe vetë SPAK-u, pasi kanë konstatuar grumbullimin e personave, kanë kërkuar disa herë ndihmën e policisë për një kordon punonjësish policie me uniformë, por nuk ka pasur asnjë reagim.
“Duke u mbështetur te raportimet e punonjësve të Gardës së Republikës, janë kryer kërkesa të përsëritura për ndihmë drejtuar Policisë së Shtetit për të garantuar perimetrin e jashtëm të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme, duke vendosur një kordon sigurie të forcave policore. Kjo praktikë është ndjekur edhe më parë në protestat e zhvilluara pranë ambienteve të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme” – SPAK.
SPAK dhe GJKKO nënvizojnë se në orët e mbrëmjes së 12 shkurtit protestuesit kanë penguar gjyqtarët dhe prokurorët të dalin nga ambientet rrethuese të gjykatës. Madje, edhe kur ata kanë tentuar të dalin, automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e protestuesve, të cilët kanë sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët.
“Nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj (Policia e Shtetit) për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate, e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cënim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka konsideruar këtë sjellje të paprecedentë të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore” – GJKKO.
Sipas dy institucioneve të drejtësisë, përmes mosveprimeve, Policia e Shtetit ka penguar ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese. Edhe SPAK dhe GJKKO i kanë kujtuar Policisë së Shtetit se në dy raste të tjera të protestave para SPAK, ato të mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha, janë marrë masa nga policia. Në këtë linjë, GJKKO i kërkon Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit t’i vënë në dispozicion gjithë procedurën ligjore të ndjekur dhe planin e masave të marra në rastet e ngjashme, si dy protestat e mbajtura nga mbështetësit e Berishës, si dhe një shpjegim të argumentuar dhe me prova se pse nuk është ndjekur e njëjta praktikë edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025.