Zgjedhjet parlamentare të 23 shkurtit në Gjermani, do të prodhojnë një Bundestag ndryshe nga ai i mëparshmi.
Ato po shihen gjerësisht si një test ndaj reformës zgjedhore, e cila u miratua pas debatesh të shumta dhe disa përpjekjesh të dështuara njëra pas tjetrës. Ketë herë, numri i ligjvënësve në parlament do të jetë më i vogël, duke u kufizuar në 630, krahasuar me 733 që ishin në Bundestagun e mëparshëm. Ndërkohë, edhe pse fleta e votimit mbetet e njëjta dhe çdo votues ka dy vota – një për një kandidat të zonës dhe një për partinë, shtohet rëndësia e votës së dytë, e cila përcakton listën e deputetëve të zgjedhur nga partitë. Deri tani, nëse një parti fitonte shumë mandate në zona të caktuara, por nuk kishte vota të mjaftueshme në total, ajo përfitonte vende shtesë në parlament.
Por pas reformës, këto mandate janë hequr dhe kandidatët që fitojnë zonat elektorale mund të hyjnë në parlament vetëm nëse votat e partisë së tyre përputhen me rezultatet përkatëse. Synimi i ndryshimeve të tilla me sa duket është shtimi i peshës së votës së dytë dhe garantimi i një përfaqësimi më të drejtë. Ndërkohë, pragu i hyrjes në parlament mbetet 5%: partitë që nuk e kalojnë, nuk hyjnë në Bundestag.
Megjithatë, një parti që fiton të paktën tre mandate të drejtpërdrejta mund të hyjë në parlament edhe pa arritur pragun. Me një parlament më të vogël dhe më shumë fokus te vota e dytë, reforma mendohet se do të forcojë procesin demokratik dhe do ta bëjë më efikas parlamentin gjerman.