Takimi në Parma u shfrytëzua nga Sali Berisha për të informuar diasporën se PD-ja nuk është më një derë e zezë për ndërkombëtarët dhe kartën më të fortë kishte kontratën me një prej organizatorëve të fushatës së Donald Trump.
Duke i kthyer përgjigje socialistëve që e kanë konsideruar LaCivitan si një lobist të paguar nga PD, Berisha i bëri një premtim të hapur Edi Ramës për fatin që do të ketë për paratë që ka shpenzuar me amerikanin McGonigal: “Hija e McGonigal do të të përndjekë deri në ditën e fundit të jetës tënde”.
Lajmi tjetër që përcolli Berisha ishte arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, ku rënien në burg të Erion Veliajt e konsideroi si rrëzimin e pushtetit në kryeqytet, duke e lidhur me fatin e Edi Ramës me diktatorët në Libi e Siri: “Ra Tripoli, iku Gadafi; Ra Damasku, iku Asadi; Ra Tirana, ikën Edi Rama”.
Por, Shqipëria nuk është Libi apo Siri dhe kundërshtarin politik duhet ta rrëzojë me votë. Për këtë, Berisha kërkoi mbështetjen e diasporës e cila me numrat në sallë duket se surprizoi edhe vetë Berishën. Ndaj, për ta kishte një kërkesë konkrete dhe disa premtime të hapura: “Miq, vota juaj më 11 maj nuk është vetëm një votë për shpëtimin e Shqipërisë, është një votë për transformimin e Shqipërisë. Partia Demokratike angazhohet për një transformim rrënjësor të shpejtë”.
Mes ovacioneve të mbështetësve të tij, Berisha gjeti një mënyrë për t’i shprehur edhe falenderimin shtetit italin për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë që nga dita e parë e rënies së komunizmit: “E viva l’Italia!”.