Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, një parti e ekstremit të djathtë ka dalë e dyta në zgjedhjet kombëtare gjermane. Alternative für Deutschland (AfD) arriti të sigurojë mbështetjen e një në pesë gjermanë, duke shënuar një moment historik për politikën e vendit.
AfD ka ndryshuar ndjeshëm që nga themelimi i saj në vitin 2013, duke kaluar nga një parti e ekonomistëve libertarianë në një lëvizje anti-emigracion, shkruan A2 CNN. Sipas parashikimeve, partia ka fituar rreth 20% të votave, por mundësitë e saj për të hyrë në qeveri mbeten të ulëta, pasi partitë e tjera ruajnë një “mur mbrojtës” për ta mbajtur jashtë qeverisjes.
Reagime pas rezultatit
Liderja e AfD, Alice Weidel, e quajti rezultatin një fitore dhe u shpreh se partia e saj është tashmë “një parti mainstream”. Ajo theksoi se AfD do të vijojë të punojë për të hyrë në qeveri dhe paralajmëroi se në zgjedhjet e ardhshme mund të dalë forcë e parë. Ndërkohë, përkrahësit e AfD festuan në selinë e partisë, ku një anëtar i saj, Gilbert Kalb, deklaroi se konservatorët tashmë po adoptojnë pozicionet e tyre politike.
Ndikimi te të rinjtë
AfD, e njohur tradicionalisht si një parti e pensionistëve, ka bërë përparime mes të rinjve. Sondazhet e daljes nga kutitë e votimit treguan se 22% e votuesve të moshës 25-34 vjeç mbështetën partinë, krahasuar me vetëm 10% të të moshuarve mbi 70 vjeç.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së votave, rezultati nuk përmbushi pritshmëritë më optimiste të partisë. AfD mbetet nën mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë, të cilat e konsiderojnë si një kërcënim për rendin kushtetues të Gjermanisë.