Pas hetimeve disa mujore dhe me vendim gjykate, serbja Jelena Gjukanoviç, e punësuar në Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka përfunduar në paraburgim për një muaj për shkak të veprimtarisë se dyshuar te spiunazhit.
Gjukanoviç, që u arrestua të premten në mbrëmje në rajonin e Mitrovicës, për ekspertët e sigurisë dëshmon për aktivitetin e zgjeruar të inteligjencës serbe e njohur si BIA për të goditur Kosovën.
Nëpërmjet aktiviteteve të spiunazhit e nxitjes së tensioneve ndër etnike Serbia synon të mbajë të brishtë dhe jo të qëndrueshme situatën në Kosovë me qëllim që ta pengojë edhe konsolidimin e shtetësisë në sytë e ndërkombëtarëve.
“Duke pasur parasysh të gjithë aktivitetin e luftës hibride serbe kundër Kosovës mendoj që aktivitetet e spiunazhit janë një prej formave kryesore të kërcënimit të sigurisë që e rrezikojnë potencialisht stabilitetin e vendit tonë e në këtë kuadër, natyrisht që e gjithë puna e institucioneve të sigurisë së vendit për të neutralizuar këtë rrezik është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë Arben Fetoshi, Drejtor, Instituti Octopus.
Misioni i OSBE-së, ku është e punësuar Gjukanoviç, nuk ka preferuar të komentojë zhvillimet që po ndodhin vetëm se janë në kontakt të vazhdueshëm me avokaten e të dyshuarës dhe se po monitorojnë rastin.
“Misioni i OSBE-së nuk mund të komentojë më tej në lidhje me këtë çështje për shkak të hetimeve që po vazhdojnë, por mbesim të angazhuar për të bashkëpunuar me autoritetet përkatëse. Misioni është në kontakt me të dyja institucionet përkatëse dhe Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar që të respektohet procesi i duhur ligjor”, deklaroi misioni i OSBE në Kosovë.
Së fundmi, ndaj dy të dyshuarve që ishin arrestuar në qershor të vitit të kaluar, iu është ngritur akuza për spiunazh. Ndërsa arrestimi i një tjetër të dyshuari dëshmon për kapacitetet e inteligjencës kosovare për të parandaluar aktivitetet e BIA-s serbe.
“Mendoj se në qoftë se i referohemi edhe sukseseve në të kaluarën nga institucionet e sigurisë në neutralizimin e spiunëve të BIA-s serbe, mendoj që është një suksesi radhës i cili domosdo reflekton kapacitetet e duhura të institucioneve tona për t’u përballur me këto kërcënime që vijnë nga Serbia” shprehet Fetoshi.
Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi të dielën që Gjukanoviç të mbetet në paraburgim, pasi konsideroi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe e dyshuar rrezikon të largohet nga vendi.