4 turistë, dy kroate në Velipojë dhe 2 francezë në Vlorë, kanë kërkuar ndihmën e policisë mbrëmjen e së hënës.
Policia bën të ditur se pas marrjes së njoftimit nga shtetasi francez B. D., i cili kishte dalë me not në breg të detit në Pulaj, Plazh Velipojë, i cili kërkonte ndihmë për dy turiste nga Kroacia, shtetaset I. K., dhe I. Sh., të cilat si pasojë e dallgëve të shumta, lundra me të cilën lundronin po largohej drejt thellësisë dhe për këtë shkak u rrezikohej seriozisht jeta.
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me Postën Kufitare Velipojë dhe me ndihmën e Policisë Malazeze të cilët ndërhynë menjëherë me helikopter dhe një mjet lundrues, bënë të mundur nxjerrjen nga deti me një mjet lundrues të Policisë malazeze të dy turisteve kroate, të cilat po dërgohen për ndihmë mjekësore në Ulqin, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, 2 turistë francezë kishin humbur kontaktet gjatë orëve të mbrëmjes. Rreth orës 20:00, një çift francez u shkëput nga guida dhe u largua. Për shkak të errësirës, ata humbën orientimin dhe njoftuan shërbimet e emergjencës në numrin 129.
Menjëherë, forcat zjarrfikëse të Himarës dhe posta policore e Palasës nisën kërkimet. Turistët u lokalizuan në malin e Llogarasë, pranë antenave mbi tunelin e Llogarasë. Aktualisht, ata janë takuar me ekipin e shpëtimit dhe po kthehen në bazë. Çifti, rreth 50 vjeç, ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.