Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan nënvizoi rëndësinë e rolit strategjik të Turqisë për Bashkimin Evropian, teksa u takua të mërkurën me kryeministrin e Polonisë në Ankara.
“Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të parandalojë apo edhe të ndryshojë humbjen e pushtetit dhe ndikimit të tij, ai mund ta arrijë këtë vetëm përmes anëtarësimit të plotë të Turqisë”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi pas një takimi dypalësh me kryeministrin polak Donald Tusk në Kompleksin Presidencial.
“Ne vazhdimisht theksojmë se anëtarësimi i plotë në BE mbetet objektivi ynë strategjik. Ne diskutojmë shpesh me homologët tanë dëshirën për të çuar përpara bashkëpunimin me BE bazuar në përfitimin dhe respektin reciprok”, tha Erdogan.
Ai vuri në dukje se të dy udhëheqësit patën mundësinë të diskutojnë hapat e mundshëm për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe gjithashtu shkëmbyen pikëpamje mbi të ardhmen e sigurisë evropiane dhe çështjet rajonale, duke përfshirë Sirinë dhe Palestinën.
“Ne e konsiderojmë pranimin e armëpushimit nga Ukraina si pozitive dhe të rëndësishme. Tani shpresojmë se Rusia do të përgjigjet në mënyrë konstruktive”, tha lideri turk.
Gjithashtu, ai përsëriti gatishmërinë e Turqisë për të pritur çdo bisedim të mundshëm të paqes, duke thënë: “Nëse zhvillimet e fundit çojnë Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e bisedimeve, ne jemi të gatshëm të lehtësojmë diskutimet”.
Bëhet e ditur se anëtari i NATO-s, Turqia, ka kërkuar të mbajë marrëdhënie të mira me fqinjët e saj në Detin e Zi, me Erdoganin duke e paraqitur veten si një ndërmjetës kyç dhe paqebërës i mundshëm midis dy vendeve në luftë.
Nga ana e tij, Tusk shprehu shpresën se Ankaraja do të luajë një rol kyç në promovimin e paqes, shkruajnë mediat e huaja.
“I bëra një propozim të qartë presidentit Erdogan: që Turqia të marrë përgjegjësinë më të madhe të mundshme në procesin e paqes, duke siguruar stabilitet dhe siguri në të gjithë rajonin tonë”, tha ai.
Tusk ndër tjera vuri në dukje se Erdogan do të vizitojë Varshavën muajin e ardhshëm.
“Po bëhet e qartë se armëpushimi dhe më vonë paqja është një synim për Poloninë, Turqinë dhe SHBA-në. Gjithçka jep shpresë se Turqia dhe Polonia do t’i japin një ton pozitiv ngjarjeve në Ukrainë dhe Evropë”, tha Tusk.
Kryeministri polak njoftoi se Turqia dhe Polonia do të punojnë së bashku për të arritur stabilitet në Siri dhe rajon.
Tusk shprehu dëshirën e tij për ta parë Turqinë në BE, duke thënë: “Ne me të vërtetë shpresojmë që procesi i hyrjes së Turqisë në BE tani është një proces realist dhe i prekshëm. Ne gjithmonë e kemi mbështetur Turqinë në këtë drejtim dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.
Ai tha se ata duan që vëllimi i tregtisë mes dy vendeve të arrijë në 15 miliardë dollarë dhe se ai beson se do ta arrijnë këtë, dhe se ato tashmë i kanë kaluar 12 miliardë dollarë.
Duke thënë se stabilizimi i rajonit është qëllimi i Polonisë, Tusk theksoi se rindërtimi i Ukrainës është gjithashtu një nga qëllimet dhe se kjo është një mundësi si për kompanitë polake ashtu edhe për ato turke.
Ndryshe, Tusk tha se kanë pasur mundësinë të marrin pjesë edhe në projekte të mëdha, duke shtuar se po planifikojnë të punojnë në ndërtimin e një sistemi trenash të shpejtë dhe se Turqia ka përvojë në këtë fushë.
Para se të nisej nga Varshava, Tusk theksoi rëndësinë që NATO dhe vendet evropiane të punojnë së bashku në mënyrë efektive për të garantuar stabilitet përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë pas çdo armëpushimi.
“Roli i Turqisë mund të jetë vendimtar në këtë drejtim”, shtoi ai.