Analisti Andi Bushati e deklaroi për të disatën herë në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, votën e tij më 11 maj për partinë “Lëvizja Bashkë”.
Bushati tha se në këto tre dekada kemi patur një sistem të pabarabartë, ndaj duhet ndryshim rrënjësor, të cilin e sheh të realizueshëm nga Lëvizja Bashkë.
Ai tha se ky sistem që kemi sot do e shkatërrojë dhe shpopullojë këtë vend dhe do ta lërë peng të 100 vetëve.
Si zgjidhje, Bushati shikon taksimin e të pasurve.
“Pyetja e parë, në këto 30 vite a kemi ngritur një sistem të pabarabartë? Ku ai i varfri bëhet gjithmonë e më i varfër dhe ai që vjedh bëhet hajdut dhe më i madh? Rama fitoi në vitin 2013 me çështjen e pabarazisë.
Nëse problemin e shtrojmë kështu, që në këto tre dekada kemi një sistem të pabarabartë, ky program duhet ndryshuar, duhet hequr nga kompjuteri dhe të mendojmë të kemi mundësi për një të ri? Kush do të jetë?
Duhet të vijë një moment, që ata që i kanë rrjepur të tërë të paguajnë më shumë dhe një pjesë të paguajë më pak. Është pjesë e madhe në kurriz të së cilëve janë pasuruar një pakicë.
Nuk ka ideologji këtu, që quajmë marksiste dhe komuniste. Merrni “New Deal” të Roosevelt. Amerika nga vitet ‘30 kanë rritur taksat për më të pasurit deri në 70%. Kjo është përiudha e begatisë më të madhe të Amerikës.
Jam i bindur që duhet provuar sepse ky sistem që kemi sot do e shkatërrojë dhe shpopullojë këtë vend dhe do ta lërë peng të 100 vetëve. Prandaj “programi i kompjuterit” duhet ndryshuar”- tha Bushati.