Bota
Rubio: Do të tërhiqemi nga marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë nëse s’ka përparim
Presidenti amerikan, Donald Trump, do të tërhiqet brenda ditësh nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse nuk ka sinjale të qarta se mund të arrihet një marrëveshje.
Kështu deklaroi më 18 prill sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Ne nuk do ta vazhdojmë këtë përpjekje për javë apo muaj të tërë. Duhet të përcaktojmë shumë shpejt, dhe kur them shumë shpejt, flas për çështje ditësh, nëse kjo [arritja e një marrëveshjeje] është e realizueshme në javët e ardhshme. Nëse kjo ndodh, atëherë ne jemi brenda procesit. Nëse jo, atëherë ne kemi prioritete të tjera ku duhet të përqendrohemi po ashtu”, tha Rubio në Paris.
Kryediplomati Rubio tha se presidenti Trump është ende i interesuar për një marrëveshje, por është i gatshëm të tërhiqet nëse nuk ka sinjale të menjëhershme të përparimit.
Rubio mori pjesë në bisedimet njëditore në Paris të mbajtura të enjten, ku ishin të pranishëm zyrtarët evropianë dhe ukrainas. Kryediplomati amerikan tha se diskutimet ishin konstruktive dhe rezultuan në një përmbledhje të hapave drejt paqes.
Franca ishte mikpritëse e takimit dhe për herë të parë, zyrtarët e lartë amerikanë, ukrainas dhe evropianë u takuan së bashku për të diskutuar për përfundimin e luftës.
Rubio tha të premten se ai shpreson që evropianët do të mbeten të angazhuar në bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja drejt një armëpushimi në Ukrainë.
“Ne do të dëshironim që ata të mbeten të angazhuar… Mendoj se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania mund të na ndihmojnë që ta çojmë këtë çështje drejt një zgjidhjeje. Mendoj se ata ishin shumë ndihmues dhe shumë konstruktivë në idetë e tyre”, tha Rubio për gazetarët, teksa u largua nga Parisi pas takimit me zyrtarët evropianë.
Që kur mori mandatin e presidentit në janar, administrata e Trumpit ka zhvilluar disa runde takimesh me Rusinë dhe Ukrainën, në përpjekje për të arritur një armëpushim në luftën që nisi në shkurt të vitit 2022 dhe deklaratat e Rubios vënë në pah pakënaqësitë në rritje të SHBA-së lidhur me mungesën e përparimit drejt dhënies fund të luftës.
Moska ka refuzuar që të pranojë propozimin e armëpushimit të paraqitur nga SHBA-ja, të cilin e ka pranuar Ukraina. Moska ka vendosur kushte, duke kërkuar që Ukraina të ndalë përpjekjet për mobilizim dhe që Perëndimi të ndalë dërgesat me armë për Kievin. Por, këto kërkesa janë refuzuar nga Ukraina./ REL
Bota
Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë
Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim urgjent pasi mijëra pasagjerë mund të jenë ekspozuar ndaj fruthit, sëmundjes më ngjitëse në botë, në aeroportin ndërkombëtar Neëark Liberty në New Jersey.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë të New Jersey-t (NJDOH), një person i infektuar, jo rezident i këtij shteti, ka udhëtuar nëpër terminalet B dhe C më 19 dhjetor, mes orës 07:00 dhe 19:00, gjatë kulmit të udhëtimeve festive.

Zyrtarët paralajmërojnë se vendndodhja e saktë e personit nuk dihet, ndërsa po kryhet gjurmimi i kontakteve. Personat e ekspozuar mund të shfaqin simptoma deri më 2 janar 2026. Fruthi shfaqet me temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe skuqje të lëkurës, ndërsa mund të shkaktojë ndërlikime të rënda, si pneumonia dhe encefaliti.
Sipas CDC-së, në SHBA janë regjistruar mbi 2000 raste fruthi gjatë vitit 2025 dhe tre viktima, duke e bërë këtë shpërthimin më të madh që nga viti 1992.
Ekspertët fajësojnë rënien e normave të vaksinimit, duke theksuar se vaksina MMR mbetet mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjes. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të kontaktojnë mjekun para çdo vizite shëndetësore në rast dyshimi për ekspozim.
Bota
20 pikat e Zelenskyt për t’i dhënë fund luftës, Rusia kundër!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka prezantuar një plan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, të cilin e ka cilësuar si “përpjekjen më të mirë” për arritjen e paqes. Drafti, i diskutuar së fundmi me përfaqësues të SHBA-ve dhe i paraqitur edhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, konsiderohet rreth 90% i përfunduar, por mbetet ende i hapur për disa çështje kyçe.
Plani përfshin një sërë masash që synojnë stabilizimin e situatës në Ukrainë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Çfarë parashikon plani?
Mes pikave kryesore janë ngrirja e vijës së frontit, krijimi i një ushtrie të fuqishme ukrainase prej rreth 800 mijë trupash, e mbështetur financiarisht nga partnerët perëndimorë, si dhe vendosja e garancive të forta të sigurisë, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Gjithashtu, parashikohet anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian, me kërkesën që të përcaktohet një afat i qartë për këtë proces. Kievi kërkon që kjo të jetë një garanci politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit.
Siguria dhe garancitë ndërkombëtare
Plani përfshin një marrëveshje dypalëshe sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje ushtarake nga vendet evropiane, përfshirë mbrojtjen ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një mekanizmi monitorimi për të shmangur rifillimin e luftimeve dhe për të garantuar respektimin e marrëveshjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është lirimi i të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar, si dhe organizimi i zgjedhjeve pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Donbasi, nyja më e ndërlikuar
Rajoni i Donetskut mbetet pika më e vështirë e negociatave. Kievi refuzon çdo skenar që parashikon dorëzimin e territoreve të pushtuara dhe propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar, ku të dyja palët të tërhiqen dhe siguria të garantohet nga forca ndërkombëtare.
Çështja e Zaporizhzhias
Një tjetër pikë e ndjeshme është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, aktualisht nën kontroll rus. Zelensky propozon që ai të funksionojë si një “joint venture” mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, me administrim të përbashkët dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Sipas tij, kjo do të garantonte sigurinë energjetike dhe do të shmangte rreziqet e një aksidenti bërthamor.
Qëndrimi i Moskës
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar me tone të ashpra. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Perëndimi po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme, ndërsa ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje “e pranueshme”.
Putin ka theksuar se kontrolli i plotë i rajonit të Donetskut mbetet një nga objektivat strategjikë të Rusisë, duke e konsideruar atë një zonë kyçe për sigurinë dhe interesat e saj.
Bota
Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare
Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.
I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.
Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.
“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.
Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.
Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.
-
Albania14 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK13 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports13 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania14 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
UK1 day agoPrinci William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
