Kanadezët do të hedhin votën sot në një proces zgjedhor vendimtar që është transformuar plotësisht nga Presidenti amerikan Donald Trump.
Në fillim të vitit, dukej e sigurt që Konservatorët do të fitonin çdo garë me shumicë dërrmuese, derisa tarifat dhe deklaratat thumbuese të Trumpit për ta bërë Kanadanë “shtetin e 51-të” përmbysën politikën e vendit dhe i dhanë jetë të re Partisë Liberale të Mark Carney-t, sipas BBC.
Sondazhet e fundit sugjerojnë se Liberalët janë pak përpara, megjithëse gara është ngushtuar gjatë javës së fundit dhe lideri konservator Pierre Poilievre thotë se partia e tij mund të fitojë.
Fushata 36-ditore përfundoi me një ton të zymtë, teksa liderët e partive reaguan ndaj incidentit të shtunën mbrëma, ku një makinë u përplas me një turmë në Vancouver, duke vrarë 11 persona.
Carney, kryeministri aktual, anuloi një ndalesë në Hamilton të dielën në mëngjes për t’iu drejtuar kombit pas sulmit, ku një SUV u përplas me një turmë të mbledhur për një festival lokal filipinas.
Ndërkohë, Poilievre shtoi një ndalesë fushate në Mississauga, një periferi e Torontos, për të folur me anëtarët e komunitetit filipinas atje.
Më vonë gjatë ditës, Carney zhvilloi një sërë aktivitetesh në tre provinca – Saskatcheëan, Alberta dhe British Columbia – në një përpjekje të fundit për të nxitur votimin në Kanadanë Perëndimore, ku Konservatorët gëzojnë më shumë mbështetje.
Vendimi i Trump-it për të vendosur tarifa prej 25% ndaj fqinjit të tij verior dhe kërcënimet e përsëritura për ta aneksuar Kanadanë si “shtetin e 51-të” nxitën zemërim të thellë si dhe ndjenja të forta nacionalizmi kanadez. Tifozët e hokejit filluan të fishkëllenin himnin kombëtar amerikan para ndeshjeve, një shenjë se sa papritur ishin tronditur dekada marrëdhëniesh të qëndrueshme SHBA-Kanada.
Presidenti amerikan u bë figura dominuese në fushatë, me garën që u pa nga shumëkush si një referendum për mënyrën se si Kanadaja duhet t’i qaset një presidenti që sapo kishte nisur mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë ndalesave të fushatës, Carney, 60 vjeç, fliste shpesh për nevojën për të kundërshtuar një kërcënim ekzistencial nga Presidenti Trump, për të cilin ai thoshte se “po përpiqet të na thyejë që SHBA të mund të na zotërojë”.
Ai e paraqiti veten si personin më të përshtatshëm për të udhëhequr vendin përmes krizës aktuale, duke u mbështetur në përvojën e tij si ish-guvernator i bankës qendrore të Kanadasë gjatë Recesionit të Madh dhe i Bankës së Anglisë gjatë Brexit-it.
Në një ndalesë fushate në Saskatoon të dielën, Carney tha se Kanadaja duhet të forcojë lidhjet me “partnerë të besueshëm tregtarë” si Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian. Më herët gjatë zgjedhjeve, ai kishte deklaruar se marrëdhënia e vjetër që Kanadaja kishte pasur për dekada me SHBA ishte “e mbaruar”.
Ndërkohë, lideri konservator Poilievre bëri ndalesat e tij të fundit në Ontario, ku sondazhet tregojnë se partia e tij është mbrapa. Provinca me popullsi të dendur është shtëpia e 122 vendeve në Parlament nga gjithsej 343, të cilat mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve. Një parti duhet të fitojë 172 vende për të pasur një qeveri shumicë. Liberalët aktualisht mbajnë 152 vende, më shumë se çdo parti tjetër, por do t’u duhej të fitonin një numër të konsiderueshëm vendesh për të kontrolluar Dhomën e Komunave.
Pjesa më e madhe e mesazheve të Poilievre është përqendruar në atë që ai e ka quajtur “dekada e humbur liberale” nën drejtimin e ish-kryeministrit Justin Trudeau, i cili u tërhoq më herët këtë vit kur partia e tij po dobësohej në sondazhe.
Lideri konservator ka shfrytëzuar shpesh pakënaqësitë ndaj kostove të larta të banesave, papërballueshmërisë dhe kriminalitetit për ta paraqitur veten si ndryshimi që kanadezët kanë nevojë.
“Na duhet të votojmë për ndryshim në mënyrë që të përballoni ushqimin dhe banesat,” u tha ai mbështetësve gjatë një ndalese në fushatë në Peterborough, një qytet në verilindje të Torontos.
Dhe meqë zgjedhjet po formësohen si një garë mes Konservatorëve dhe Liberalëve, partitë më të vogla kanë pasur vështirësi të fitojnë terren.
Partia e re Demokratike (NDP) me prirje të majta, e drejtuar nga Jagmeet Singh, përballet me perspektivën e humbjes së një numri vendesh, pasi është pas bllokut separatist Bloc Québécois, i cili paraqet kandidatë vetëm në provincën frankofone të Quebec-ut.
Singh anuloi disa aktivitete fushate të dielën për shkak të sulmit vdekjeprurës në Vancouver. Lideri i NDP-së, i cili po garon për rizgjedhje në një zonë zgjedhore të Vancouverit, po takohej me mbështetësit në festivalin Lapu Lapu disa minuta para sulmit. Ai dukej dukshëm i emocionuar kur foli për mediat më pas.
Gjatë gjithë fushatës, Singh u bëri thirrje kanadezëve të votojnë për kandidatët e partisë së tij në mënyrë që të shërbejnë si kontroll ndaj pushtetit në Ottaëa.
Edhe Bloc ka pasur vështirësi, me frikën mbi kërcënimet e Trump-it dhe të ardhmen e Kanadasë që kanë shkaktuar ankth në të gjithë vendin dhe kanë shtyrë votuesit drejt partive më të mëdha federale.
Historikisht, Kanadaja është udhëhequr vetëm nga qeveri liberale ose konservatore.
Ndërsa Presidenti Trump ka qenë një figurë qendrore në zgjedhjet e Kanadasë, ai është përmbajtur nga komentimi mbi rezultatin e tyre.
Megjithatë, administrata Trump ka vazhduar retorikën e saj për marrjen e Kanadasë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i tha NBC-së në programin “Meet the Press” të dielën se “presidenti ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se mendon që Kanadaja do të ishte më mirë si një shtet i SHBA-së”.
Qendrat e votimit do të hapen në orën 08:30 sipas kohës lokale të hënën në Neëfoundland dhe Labrador (12:00 GMT). Zgjedhjet do të shtrihen në gjashtë zona kohore, me qendrat e fundit të votimit që do të mbyllen në British Columbia në orën 19:00 PST (03:00 GMT të martën).
Një numër rekord kanadezësh – më shumë se 7 milionë – kanë hedhur tashmë votën e tyre paraprakisht.