Parada ushtarake, ekspozita, piknikë dhe prani mbretërore në ballkonin e Pallatit Buckingham – Britania ka nisur sot festimet për 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.
Katër ditët e aktiviteteve përkujtimore kanë filluar me një paradë madhështore në Londër, ku marrin pjesë edhe trupa nga Ukraina dhe NATO, në një shfaqje të qartë mbështetjeje për Ukrainën dhe unitetit transatlantik. Të pranishëm janë familja mbretërore britanike dhe kryeministri Keir Starmer.
Në një Europë ende të trazuar nga lufta në Ukrainë, Mbreti Charles kujtoi kohët e vështira në një fjalim të mbajtur më 9 prill para parlamentit italian: “Paqja nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë”, tha ai, duke iu referuar “jehonës së një epoke që shpresonim se i përkiste së kaluarës”.
Pavarësisht sfidave shëndetësore pas 15 muajsh përballjeje me kancerin, 76-vjeçari Charles pritet të shfaqet sot në ballkonin e Pallatit Buckingham për të ndjekur një fluturim spektakolar të avionëve historikë dhe modernë.
Pikërisht më 8 maj 1945, nga i njëjti ballkon, Mbreti George VI dhe gruaja e tij Elizabeth, së bashku me Winston Churchill dhe dy vajzat e tyre – princeshat Elizabeth dhe Margaret – përshëndetën turmat e qytetarëve që festonin Ditën e Fitores në Evropë. Më vonë atë natë, princeshat morën leje të dilnin në qytet dhe iu bashkuan, të maskuara, festimeve popullore – një kujtim që Mbretëresha Elizabeth do ta quante dekada më vonë si “një nga netët më të paharrueshme të jetës sime”.
Në atë kohë, Elizabeth kishte shërbyer si vullnetare gjatë luftës, në rolin e shoferes dhe inxhiniere mekanike, duke veshur me krenari uniformën ushtarake dhe duke u përpjekur të mos njihej nga publiku.
Kryeministri britanik Keir Starmer i cilësoi këto përkujtime si “një moment uniteti kombëtar”, për të nderuar ata që humbën jetën, për të festuar paqen dhe për të kujtuar sakrificat që sollën lirinë.
Në Pallatin Buckingham do të zhvillohet sot një pritje për të nderuar 50 veteranë të Luftës së Dytë Botërore dhe qytetarë që jetuan në atë periudhë. Ndërkohë, në të gjithë Britaninë do të mbahen qindra ngjarje festive, ceremoni përkujtimore dhe aktivitete publike.
Të martën, Mbretëresha Camilla do të vizitojë një instalacion me rreth 30,000 lulëkuqe qeramike në Kullën e Londrës – simbol i viktimave të luftës – ndërsa shumë ndërtesa, përfshirë Pallatin Buckingham, do të ndriçohen për nder të përvjetorit.
Festimet do të përmbyllen të enjten me një minutë heshtje në mesditë, një ceremoni në Westminster Abbey me pjesëmarrjen e familjes mbretërore, si dhe një koncert të madh në Horse Guards Parade në Londër. Po atë ditë, baret në mbarë vendin do të lejohen të qëndrojnë hapur dy orë më gjatë.
Duke qenë se numri i të mbijetuarve nga Lufta e Dytë Botërore po zvogëlohet ndjeshëm, këto përkujtime marrin një rëndësi të veçantë. “Kjo është ndoshta mundësia e fundit për shumë prej tyre që të marrin pjesë”, tha historiani Robert Hazell nga University College London.