Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk e heq taksën ndaj produkteve serbe dhe këtë do ta bëjë vetëm kur Serbia e njohë Kosovën.
I pyetur në Top Channel se pse i dërguari i posaçëm i SHBA-së Grenell, nuk e takoi atë, Haradinaj ka theksuar se ka pasur një telefonatë me të ku kanë diskutuar për disa çështje për Kosovën.
“Unë po e zbuloj këtu tek ju se kam pasur një bisedë telefonike me zotin Grenell dhe kam pasur takime më përpara me të në Berlin”, tha Haradinaj.
Gjatë vizitës së sotme në Prishtinë, Grenell ka kërkuar heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Haradinaj ka këmbëngulur se taksa nuk mund të hiqet.
“Nuk mund të hiqet taksa, pa pasur një marrëveshje me Serbinë. Ai duhet të na sjellë një marrëveshje te konsoliduar me Serbinë dhe e heqim taksën”, vijoi Haradinaj.
“Po unë e heq taksën kur Vuçiç të njohë Kosovën. Nuk e heq taksën për të fituar zgjedhjet Vuçiç në pranverë. Në qoftë se Serbia njeh Kosovën unë tani bëj mbledhje qeverie dhe e heq taksën. Për çështjet e Kosovës duhet të flasë edhe Kosova”, tha Haradinaj.