Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian ka reaguar ashpër për pjesëmarrjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në paradën ushtarake në Moskë, duke thënë se përderisa liderët e Serbisë rreshtohen me presidetin rus, Vladimir Putin, nuk mund të ketë progres në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Parada e Putinit dhe BE-ja nuk mund të shkojnë bashkë. Me vizitën e tij në Moskë, mesazhi i Vuçiçit për BE-në është i qartë.
Për sa kohë që udhëheqja e Serbisë rreshtohet me Putinin, nuk mund të ketë progres drejt anëtarësimit në BE – negociatat e pranimit duhet të rishikohen”, ka deklaruar S&D në një deklaratë të fundit.
BE-ja u ka bërë thirrje liderëve të vendeve që synojnë anëtarësimin, përfshirë Vuçiçin, të shmangin pjesëmarrjen në paradën e fitores së Luftës së Dytë Botërore në Moskë, për shkak të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Presidenti autoritar i Serbisë është paralajmëruar personalisht për pasojat që kjo vizitë do të ketë për rrugën evropiane.