Aurora Guska, avokatja e caktuar nga shteti për 41-vjeçarin Ylber Jaku, i akuzuar për vrasjen e 34-vjeçarit Reshit Sallahu, ka zbuluar të tjera detaje mbi këtë ngjarje të rëndë.
Përmes një interviste për A2 CNN, ajo shprehet se konflikti mes dy familjeve kishte nisur prej 20 vitesh, pasi sipas saj, prindërit e viktimës nuk i lejonin anëtarët e familjes tjetër të kalonin për në banesën e tyre.
Po ashtu avokatja thotë se ngjarja u paralajmërua për Policinë nga babai i autorit, por sipas saj, nga institucionet nuk u mor asnjë masë.
Avokatja tha gjithashtu se vrasja e të riut erdhi pasi e motra e tij dhunoi me sëpatë prindërit e autorit, ç’ka bëri sipas saj, që Ylber Jaku të kalonte në një gjendje të rënduar emocionale.
“Unë si avokate e caktuar kryesisht, pasi vetë i arrestuari nuk kërkoi që të mbrohej nga një avokat, por masat e sigurimit janë që të mbrohet nga një avokat. Familja, prindërit e Ylber Jakut, Agim dhe Vera Jaku, kanë një konflikt pronësie, për të kaluar në banesën e tyre, ku familja e viktimës nuk e kanë lejuar dhe kanë qenë në procese gjyqësore për 20 vite. Para dy javësh, babai i të arrestuarit, Agim Jaku, ka marrë në telefon Policinë, duke i thënë se personi me të cilin kishte konflikt, që tashmë është babai i viktimës, kishte marrë një fadrom dhe po prishte rrugën, të vetmen rrugë që atë e çonte drejt shtëpisë.
Babai i viktimës shkon në polici dhe thotë o ma hiqni Agimin, ose unë do hakmerrem. Ndërkohë motra e viktimës, që ndodhet në arrest shtëpie, ka marrë një sëpatë dhe ka dëmtuar të dy prindërit e të arrestuarit. Për të mos patur konflikte të mëtejshme, babai i të arrestuarit ka marrë në telefon të birin dhe i ka thënë kemi bërë një aksident dhe ndodhemi në spital. Vetë Ylberi punon në Has, nuk është i vërtetë lajmi që thonë se ka ardhur nga Anglia. Merret me ndërtim.
Kur ka shkuar në spitalin e Traumës dhe ka parë prindërit në atë gjendje, sidomos nënën, që është në gjendje më të rëndë shëndetësore, është tronditur shumë, ka fikur telefonin. Dhe në këto kushte, vetë Agim Jaku, unë kam gjithë telefonatat e tij dhe mesazhet, që kanë filluar që nga ora 09:49 minuta, deri në orën 11 e 13 minuta, kanë qenë mesazhe dhe telefonata pa fund ku Agim Jaku ka njoftuar policinë, duke i thënë ‘djali im ka dalë jashtë kontrollit dhe evitoni ndonjë ngjarje të mundshme’. Çfarë ka ndodhur? Nuk është marrë asnjë masë, pasi ngjarja ka ndodhur 3 metra para oborrit të shtëpisë së viktimës.
Vetë Ylber Jaku nuk ka bërë rezistencë. Është marrë nga daja i tij në telefon policia, duke i thënë se ka ndodhur një ngjarje. Ka ardhur policia në shtëpinë e Ylber Jakut, ai nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe është vetëdorëzuar në Polici. Sot në seancë Ylber Jaku, duke qenë se ka marrë shtetësi angleze, ka bashkëshorten angleze me të cilën ka 2 vajza.
Ai kërkonte që të vinte nëpër zhvillimin e seancave një përfaqësues nga ambasada angleze, pasi ai nuk ka besim te drejtësia shqiptare, për shkak se prindërit e tij janë rropatur për 20 vite rresht dhe nuk kanë mundur dot të zgjidhin një konflikt të thjeshtë. Gjykata sigurisht vendosi ndaj tij masën ‘arrest me burg’. Vetë Ylber Jaku nuk ka pasur asnjë pretendim në seancë, pasi sipas tij, nuk kishte besim te drejtësia shqiptare”, tha avokatja.