Drama e fatit të shqiptarëve më 1999, është rikthyer në dërrasat e Teatrit të Gjilanit, me shfaqjen “Bryma e vdekjes”, shkruan sot Koha Ditore.
Produksioni i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me tekst të Milazim Krasniqit, nën regji të Burbuqe Berishës, të mërkurën mbrëma ka hapur edicionin e 29-të të festivalit të dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës 2020”, një prej shtyllave kryesore të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”. Salla ka qenë plot në zbërthimin teatror të eksodit të shqiptarëve drejt Bllacës.
Risjell në kujtesën e publikut histori të fatit kolektiv, tek paraqet banorët e dëbuar dhe vuajtjet e tyre në kampin famëkeq në kufirin Kosovë-Maqedoni. Viktima të spastrimit etnik nga Serbia, refugjatët u mbajtën në kushte ekstreme dhe Bllaca u bë drama e një shpërfytyrimi dhe poshtërimi të njerëzve.
Publiku provokohet sa nga loja e aktorëve, ku refugjatët e pashpresë nuk trajtohen mirë nga policia maqedonase, e cila menaxhon kampin. Tallen dhe ushtrojnë dhunë ndaj refugjatëve shqiptarë që provojnë të rezistojnë rezistenca dhe shpirti i tyre shkatërrohet atëherë kur në këtë kamp vdesin edhe fëmijët.
Me këtë shfaqje – e cila në TKK është dhënë premierë në prill të këtij viti – nuk është ndarë i kënaqur kritiku i artit, studiuesi dhe dramaturgu Josif Papagjoni. Ka thënë se drama mbështetet në një strukturë narrative, e cila paraqet turmat e refugjatëve shqiptarë dhe rrugëtimin e tyre deri te aktet e depersonalizimit dhe poshtërimit nga rrahja e policëve. Ai ka thënë se nuk është punuar shumë në paraqitjen e lëndimeve shpirtërore të personazheve në këtë dramë.