Nga Boldnews.al
Në tre vitet e fundit, në Portin e Durrësit, një prej pikave kryesore hyrëse të lëndëve narkotike të forta nuk është kapur asnjë gram heroinë ose kokainë, megjithëse “qyteti kontrollohet tërësisht nga organizata kriminale e Xhevdet Troplinit-Pojës”, siç ka deklaruar bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, para prokurorëve të SPAK-ut, në Shqipëri.
Kjo situatë, në dukje paradoksale, nuk është konsideruar aspak reale nga ekspertë të kriminalitetit dhe eksponentët të opozitës.
Një oficer i anti-drogës në Durrës, deklaroi më herët për “Boldnews.al” në kushte anonimati se trafikantët nuk sjellin drogën në Port, por e blejnë apo shkëmbejnë në mes të detit. Sipas tij, kjo për faktin se punonjësit e Policisë së Portit më të madh në vend janë pedantë dhe korrekt në zbatimin e ligjit.
Megjithatë, ky oficer u detyrua të buzëqeshte hidhur, kur “Boldnews.al” i kujtoi se ishte një zyrtar policie, i cili nxori një kontenier nga Porti i Durrësit, e shkarkoi ngarkesën e dyshuar kokainë në një magazinë në Shkozet dhe më tej e ktheu sërish bosh.

Prej vitesh, qytetarët në Durrës, por edhe institucionet ligjzbatuese, e konsiderojnë Xhevdet Troplinin si një personazh kyç në botën e nëntokës. Megjithatë, deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë shpallur ndonjë hetim ndaj tij.
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike në opozitës, shprehet i bindur se Xhevdet Troplini është i paprekshëm nga Policia e drejtuar nga qeveria e majtë të Edi Ramës, pasi banda e tij mbledh vota për Partinë Socialiste në pushtet.
Berisha e theksoi një fakt të tillë edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, ku akuzoi Troplinët se ishin të angazhuar për sigurimin e sa më shumë votave për partinë e Ramës.
Kur kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga zgjedhjet e shumë-kontestuara prej opozitës, Prokuroria e Posaçme Shqiptare (SPAK) dhe Drejtoria e Antimafias në Bari, njoftuan rezultatet e një hetimi, të emërtuar “Ura” dhe të nisur rreth 5 vjet më parë në Itali, kundër një organizate kriminale italo-shqiptarë, e përfshirë në trafikun e lëndëve të forta nga Amerika Latine drejt Europës.

Në shkurt 2025, Gjykata e Barit kishte lëshuar një numër të lartë urdhër-arrestesh, rreth 50 të tillë, për shtetas shqiptarë e italianë. Hetimet ishin bazuar kryesisht në komunikimet në platformat e koduara Sky, të cilat u zbërthyen në vitin 2020 nga autoritetet franceze dhe belge.
Një pjesë e personave nuk kanë arritur të arrestohen në Shqipëri. Mes atyre që mungon në listën e arrestit spikat emri i Elvis Doçit, i njohur ndryshe si Visi i Pojës, nipi i Xhevdet Troplinit.
Troplini “kontrollon Durrësin”
Në dosjen prej mbi 1300 faqesh të gjykatës së Barit janë paraqitur të paktën 30 episode të trafikut të narkotikëve, ku janë përfshirë personat e dyshuar. Mes qindra faqeve, hetuesit italianë të Antimafias kanë cituar edhe disa deklarime të dhëna nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, para prokurorëve të SPAK-ut, në Shqipëri.
Dumani, i cili ka treguar për shumë histori kriminale në vendin tonë, pas arrestimit të tij, në mars 2022 në dyshimet e kryerjes së disa vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda, ka deklaruar se “organizata kriminale e Xhevdet Troplinit kontrollon të gjithë qytetin e Durrësit”.

Ai ka deklaruar se e njeh shumë mirë nipin e Troplinit, Elvis Doçin i njohur edhe si Visi i Pojës. “Ai (Visi) është një negociator shumë i mirë në trafikun e heroinës dhe kokainës”, citohet Nuredin Dumani në vendimin e gjykatës së Barit, e siguruar e plotë nga “Boldnews.al”.
Dumani tregon se “organizata kriminale e Troplinit hyri në treg në vitin 2010 dhe tashmë ajo kontrollon të gjithë qytetin”, i dyti për nga rëndësia ekonomiko-tregtare në Shqipëri, pas kryeqytetit Tiranë.
“Organizata e Xhevdet Troplinit, Pojës, hyri fuqishëm në treg në vitin 2010. Tashmë, ata kontrollojnë të gjithë Durrësin”, vijojnë më tej deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Nuredin Dumani ka deklaruar gjithashtu se organizata e Xhevdet Troplinit (Pojës) ka veprimtari në Itali dhe Gjermani. “Në Hamburg ka aktivitet të shpërndarë thuajse të gjithë qytetin. Po flas për trafikun e kokainës. Ndërsa në Itali ka pasur mundësi të operojë në zonën e Kalabrisë. Organizata e Pojës e merr kokainën në Kolumbi”, është shprehur ai për prokurorët e SPAK-ut.
U ndërhy me vonesë?
Kreu i Prokurorisë së Posaçme shqiptare, Altin Dumani, mohoi që operacioni, i miratuar nga gjykata e Barit që në shkurt të këtij viti, u vonua me të paktën tre muaj, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 në vendin tonë. “E vendosim ne se kur duhet bërë ndërhyrja”, – deklaroi ai, duke shtuar se “operacioni kishte nevojë për koordinim mes dy shteteve, pasi do të ndërhyhej njëkohësisht në Shqipëri dhe Itali”.

Në një konferencë mediatike të zhvilluar në Tiranë, përfaqësuesit e dy autoriteteve hetimore, SPAK-ut shqiptar dhe Drejtorisë së Antimafias italiane, u treguan shumë bujarë në vlerësimet për njëri-tjetrin.
Në mes të vlerësimeve, prokurorët e çështjes dhanë disa detaje të përgjithshme mbi rezultatet e operacionit-rreth 40 të arrestuar në Shqipëri e Itali, afro 5 milionë euro të sekuestruara organizatës kriminale gjatë të gjithë periudhës hetimore, si edhe sekuestrimi i disa shoqërive e lokale në vendin tonë.
Megjithatë, shprehjet plot sheqer të prokurorëve të të dy vendeve, sërish ka disa gjëra që duket se çalojn në të gjithë këtë histori.
Organizata kriminale, megjithëse me bazë të rëndësishme operative në Shqipëri, ka humbur ngarkesa lënde narkotike vetëm në Itali.
Në portin e Durrësit, i cili, sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, “kontrollohet nga kjo organizatë kriminale trafikimi”, prej më së paku tre vitesh nuk është zbuluar asnjë ngarkesë kokaine ose heroine.
Deklarimet e Dumanit për aktivitetin e grupit të Troplinit besohet se janë dhënë të paktën dy vjet më parë. Deri më tani, përveç një episodi kontrolli nga SPAK, ku në shtëpinë e Elvis Doçit (Visit të Pojës) u raportua se u gjetën rreth 3 milionë euro, nuk ka pasur ndonjë zhvillim të rëndësishëm hetimor.

Ata kanë vijuar aktivitetet e tyre tregtare të pashqetësuar, deri në mesin e kësaj jave, kur Gjykata e Posaçme ka miratuar sekuestrimin e disa shoqërive tregtare dhe lokaleve luksoze në pronësi të anëtarëve të bandës së dyshuar në qytetin e Durrësit, pranë zonës së Currilave dhe në bregun e Hamallajt.
Në operacionin simultan të zhvilluar në Shqipëri dhe Itali mes datave 20 dhe 21 Maj 2025 janë arrestuar disa prej të dyshuarve, megjithëse nuk raportohet për ndalimin e atyre që konsiderohen si kokat e organizatës së dyshuar kriminale në Shqipëri.