Një projektligj që ndezi debat të fortë mes disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës britanike dhe politikanëve, më në fund është miratuar në Mbretërinë e Bashkuar, pa amendamentin që mbështetej nga artistët si Elton John, Dua Lipa dhe Paul McCartney.
Ligji për të Dhënat (Data Bill), që fillimisht synonte të rregullonte përdorimin e të dhënave në fushat e teknologjisë, përfshinte gjithashtu përdorimin e materialeve me të drejta autori në trajnimin e inteligjencës artificiale (AI). Artistët kërkuan që kompanitë teknologjike të detyroheshin të deklaronin nëse përdornin përmbajtje të mbrojtur për qëllime trajnimi të AI, por kjo kërkesë nuk u pranua.
“Eliminimi i këtij detyrimi është një formë e vjedhjes në shkallë të lartë,” deklaroi Elton John për BBC-në, duke paralajmëruar se pa këtë masë mbrojtëse, artistët mund të përballen me zhdukjen e vendeve të punës, pasi AI mëson dhe imiton punën e tyre pa pagesë e pa miratim.
Megjithëse Dhoma e Lordëve mbështeti këtë ndryshim, qeveria e hodhi poshtë, duke thënë se një konsultim i veçantë për të drejtat e autorit është në proces, dhe se ligji aktual nuk do të ndalojë zhvillimin e AI në vend.
Pas javësh diskutimesh mes Dhomës së Komunave dhe asaj të Lordëve, projektligji është miratuar pa ndryshimet e kërkuara dhe do të hyjë në fuqi pas pëlqimit mbretëror.
Ministria e Shkencës dhe Inovacionit deklaroi se ligji do të ndihmojë në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e shërbimeve publike si shëndetësia dhe infrastruktura.
Por artistët dhe përfaqësuesit e industrisë krijuese janë të shqetësuar. Sipas tyre, vendimi për të mos mbrojtur përmbajtjen origjinale përbën një kërcënim serioz për industrinë krijuese britanike, që vlen mbi 124 miliardë paund.
“Ky është vetëm fillimi i betejës. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona,” tha një nga përfaqësueset në Dhomën e Lordëve, baronesha Kidron, e cila ishte një nga zërat kryesorë për ndryshimin në ligj./BBC