Hapja e afatit kalimtar verore ka sjellë një tjetër garë shpenzimesh marramendëse nga klubet evropiane, të cilat po investojnë miliona euro për të përforcuar skuadrat e tyre para sezonit të ri.
Synimi është i qartë: ndërtimi i ekipeve konkurruese që mund të luftojnë për tituj dhe suksese ndërkombëtare.
Si zakonisht, Liga Premier është shndërruar në forcën dominuese të tregut. Sipas të dhënave të Transfermarkt, deri në fillimin e korrikut, klubet angleze kanë shpenzuar tashmë 1.25 miliardë euro, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë financiare të kësaj lige.
Nga 10 klubet me më shumë investime deri tani, shtatë janë nga Anglia, ndërsa shpenzimet e kombinuara të këtyre shtatë skuadrave arrijnë në 888.85 milionë euro.
Chelsea dhe Liverpool, liderët e shpenzimeve
Chelsea mban vendin e parë në këtë listë, me 243.77 milionë euro të investuara, kryesisht për emra si Jamie Gittens, Joao Pedro dhe Liam Delap. Në vendin e dytë qëndron Liverpool, me 213.68 milionë euro të shpenzuara – ku transferimi i Florian Wirtz për 125 milionë euro spikat si lëvizja më e bujshme e merkatos.
Në podium është edhe Real Madrid, i vetmi klub jashtë Ligës Premier që hyn në top 3. “Los Blancos” kanë shpenzuar 131.2 milionë euro, me transferimet e Mastantuono, Dean Huijsen dhe Trent Alexander-Arnold.

Klubet e tjera në dhjetëshen më më shumë shpenezime
Manchester City – 130.7 milionë €: Reijnders, Aït-Nouri, Cherki
Brighton – 80 milionë €: Kostoulas, De Cuyper, Coppola
Atalanta – 78.8 milionë €: Kossounou, Sulemana, Samardžić
Manchester United – 78.2 milionë €: Matheus Cunha, Diego León
Juventus – 73.9 milionë €: Nico González, Kalulu, Di Gregorio
Sunderland – 71.5 milionë €: Diarra, Le Fée, Sadiki
Tottenham – 71 milionë €: Mathys Tel, Kevin Danso, Vuskovic
Sunderland, surpriza e listës
Surpriza më e madhe është Sunderland, që sapo është ngjitur në Ligën Premier nga Championship, por ka investuar 71.5 milionë euro, duke u renditur në vendin e nëntë.
Ky është një sinjal i qartë i ambicieve të skuadrës për të mos qenë thjesht një ekip kalimtar në elitë.
Në krahasim me Ligën Premier, shpenzimet në ligat e tjera duken modeste.
Në Spanjë, për shembull, tre ekipet e sapoardhura – Levante, Elche dhe Oviedo – kanë shpenzuar në total vetëm 2.1 milionë euro. Kjo tregon qartë hendekun ekonomik mes Ligës Premier dhe pjesës tjetër të futbollit evropian.