Vizita shtetërore ‘e rëndësishme’ për Evropën, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po përballen më afër sfidave të mëdha, shprehet Presidenti francez, Emmanuel Macron.
Ai tha se vizita e tij shtetërore në Britani ishte “një moment i rëndësishëm” për të dy vendet, pasi ato duan të “eksplorojnë mjete të reja bashkëpunimi” për t’u përballur me “sfidat e mëdha të kohës sonë”, siç janë inteligjenca artificiale, mbrojtja, migrimi, energjia bërthamore dhe siguria.
“Po mbërrij në Mbretërinë e Bashkuar për një vizitë shtetërore, e ndjekur nga një samit franko-britanik.
Një moment i rëndësishëm për dy kombet tona.

Mbretëria e Bashkuar është një partner strategjik, një aleat, një mik. Lidhja jonë është e gjatë, e farkëtuar nga historia dhe e forcuar nga besimi.
Së bashku, do t’i adresojmë sfidat kryesore të kohës sonë: sigurinë, mbrojtjen, energjinë bërthamore, hapësirën, inovacionin, inteligjencën artificiale, migrimin dhe kulturën. Këto janë të gjitha fusha në të cilat kërkojmë të veprojmë së bashku dhe të thellojmë bashkëpunimin tonë në një mënyrë konkrete, efektive dhe të qëndrueshme.
Ky është gjithashtu një moment i rëndësishëm për Evropën tonë.

Gatishmëria e shprehur nga Mbretëria e Bashkuar për të forcuar lidhjet me Bashkimin Evropian është një sinjal i fuqishëm, një sinjal që e mirëpres. Na angazhon kolektivisht për të eksploruar mjete të reja bashkëpunimi që respektojnë interesat tona të ndërsjella.
Ka shumë gjëra që mund të ndërtojmë së bashku: për stabilitetin e kontinentit tonë, për prosperitetin dhe konkurrueshmërinë tonë të përbashkët dhe për mbrojtjen e demokracive tona.

Përpjekjet tona të përbashkëta për të mbështetur Ukrainën, aty ku siguria e kontinentit tonë është në rrezik, projektet tona industriale me EDF-në, bashkëpunimi ynë në hapësirë dhe puna e përbashkët ushtarake janë të gjitha shembuj konkretë që tregojnë se sa i gjallë dhe largpamës është partneriteti ynë”, shkruan Macron.
Në vizitën e tij zyrtare në Londër, Presidentit francez iu rezervua një pritje vërtet mbretërore nga Mbreti Charles III në Kështjellën Windsor.