Pas deklaratave të forta të politikanit britanik, Nigel Farage, mbi emigrantët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Edi Rama, zgjodhi një qasje më të butë, por jo më pak thumbuese, teksa e ftoi Farage-n për të vizituar Shqipërinë dhe për t’u njohur me mikpritjen dhe realitetin shqiptar.
Një ftesë që u shoqërua me imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale ku të dy shfaqen në plazh, me mbishkrimin “VISIT ALBANIA”.
Në mungesë të një përgjigjeje zyrtare për datën e udhëtimit, prestigjiozja “Politico” ka sugjeruar me ironi një itinerar me 9 ndalesa të mundshme për Farage-n gjatë “pushimeve” të tij në Shqipëri.
Ndër pikat kryesore që përmenden në artikull janë:
1. Eksplorimi i bunkerëve të komunizmit
Me rreth 700 mijë bunkerë të shpërndarë në të gjithë vendin, Shqipëria ofron një kujtesë të gjallë të izolimit të saj gjatë regjimit komunist. Ato kishin për qëllim mbrojtjen kundër çdo pushtuesi të mundshëm, diçka që mund ta frymëzonte Farage në përpjekjen e tij për të shmangur një “ pushtim ” të emigrantëve nga përtej Kanalit Anglez.
2. Njohja me “burrneshat” në veri të Shqipërisë
Në veri të Shqipërisë, disa gra kanë zgjedhur të jetojnë si burra për të përmbushur rolet tradicionale mashkullore në familje, një fenomen unik i quajtur “burrnesha”. Ky realitet mund t’i ofrojë Farage një perspektivë të re përtej debateve të zakonshme mbi identitetet gjinore.
3. Një gotë raki shqiptare
Në vitin 2013, pas kritikave ndaj bullgarëve, Farage vizitoi Bullgarinë dhe piu verë me vendasit. Në Shqipëri, ai mund të provojë rakinë, një pije e fortë tradicionale me bazë rrushi apo kumbulle.
4. Vizitë në selinë botërore të bektashinjve
Në Tiranë ndodhet qendra botërore e bektashinjve. Vizita do të ishte një kontrast i fortë me akuzat ndaj Farage për retorikë kundër myslimanëve.
5. Homazh në varrezat gjermane
Si stërnip i një emigranti gjerman që iku në Mbretërinë e Bashkuar në kërkim të një jete më të mirë dhe bashkëshort i një gruaje gjermane, Farage mund të shprehë homazhet e tij në Varrezat e Luftës Gjermane në qendër të Tiranës.
6. Një vizitë në Teatrin e Kukullave
Farage e ka përshkruar veten si një “antagonist pantomime” dhe ka thënë se pas politikës dëshiron t’i përkushtohet teatrit. Teatri i Kukullave në Tiranë, i restauruar pas tërmetit me fonde të BE-së, do të ishte ndalesë simbolike për të.
7. Homazh për Mbretëreshën Elizabeth II
Në qytetin Has, ku shumica e banorëve kanë familjarë në Britani, është vendosur një statujë e Mbretëreshës Elizabeth II. Farage mund të ndalet edhe në Kukës, qytet i njohur për mikpritjen e 400 mijë kosovarëve gjatë luftës, një histori që mund t’i japë atij një tjetër këndvështrim mbi refugjatët.
8. Një kafe pa stres
Ndryshe nga Britania, ku gjatë fushatës elektorale iu hodh një filxhan kafeje, në Shqipëri Farage mund të presë mikpritje. Tirana ka një nga përqindjet më të larta të kafeneve për banor në Evropë, dhe kodi i nderit “besa” garanton respekt maksimal për të ftuarit.
9. Pushime në plazhet shqiptare
Sipas imazheve të gjeneruara nga Rama, relaksi në bregdet duket prioritet. Me 276 km vijë bregdetare në Adriatik dhe Jon, Shqipëria ofron mjaft hapësira për pushime larg zhurmës së politikës britanike.
Por kush ka të drejtë për shifrat?
Në tetor 2024, gazeta Telegraph publikoi një artikull që pretendonte se 52 mijë shqiptarë jetonin në Mbretërinë e Bashkuar, me 1 mijë e 227 prej tyre në burg, me sa duket burimi i pretendimeve të Farage.
POLITICO kontaktoi ambasadorin shqiptar në Londër, Uran Ferizi, për të kërkuar të dhënat e tyre mbi numrin e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, përgjigja e të cilit ishte, “Ne besojmë se ka më shumë se 300 mijë” dhe ndau një dokument që vëren se shifrat e Telegraph përjashtojnë shqiptarët e natyralizuar, fëmijët shqiptarë të lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe “dhjetëra mijëra” shqiptarë me pasaporta greke dhe italiane, siç tregohet nga të dhënat konsullore.
Sa i përket numrit të shqiptarëve të burgosur, dokumenti i ambasadës thotë se nuk merr parasysh moshën, seksin dhe statusin socioekonomik dhe vazhdon se kur bëhet përshtatja për çekuilibrat demografikë dhe numrin aktual të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, shkalla e nënkuptuar e burgosjes është: “përafërsisht 1 në 500”.
Nëse Farage pranon se faktet e tij janë të gabuara, Rama ka kërkuar që ai të jetë i pari që t’u thotë kujtdo që flet keq për shqiptarët “të mos e bëjë më”.