Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, por pa shpenzuar fonde amerikane. “Do t’u dërgojmë disa, sepse kanë nevojë për mbrojtje. Bashkimi Europian do të paguajë. Ne nuk do të paguajmë asgjë,” deklaroi ai, pa saktësuar numrin.
Plani përfshin blerje të armëve amerikane nga vendet europiane, të cilat do të shpërndahen më pas përmes NATO-s. Për këtë çështje ndodhet sot në Uashington sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, që do të takohet me Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të përcaktuar detajet. Gjithashtu, në kryeqytetin amerikan ndodhet edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, për takime institucionale.
Ndërkohë, në Ukrainë vazhdojnë sulmet e përnatshme ruse me dronë dhe raketa ndaj qyteteve, duke goditur shpesh civilë. Afër centralit bërthamor të Zaporizhias, inspektorët e OKB-së dëgjuan qindra të shtëna armësh të lehta, të cilat zgjatën për rreth një orë. Drejtori i AIEA-s, Rafael Grossi, e cilësoi këtë një përshkallëzim serioz që rrezikon sigurinë bërthamore dhe kërkoi ndalimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake në zonë.
Këto zhvillime vijnë ndërsa Trump pritet të shpallë masa të reja ndaj Rusisë, që mund të përfshijnë sanksione të zgjeruara dhe ndihma shtesë për Ukrainën. Sipas tij, presidenti rus Putin nuk ka interes për negociata armëpushimi dhe synon fitoren ushtarake, duke injoruar edhe propozimet e mëparshme të Uashingtonit.
Përballë kësaj situate, Europa pritet të luajë rol kyç jo vetëm në mbështetjen ushtarake të Kievit, por edhe në ndarjen e kostove që SHBA-të refuzojnë të mbulojnë.