Mbreti Charles III ka bërë një përditësim për gjendjen e tij shëndetësore, duke u shprehur se është përmirësuar ndjeshëm. Ai bisedoi me Lee Harman, i cili kishte kaluar kancerin, gjatë një shëtitjeje ku ishte prezente edhe mbretëreshë Camilla.
“Jam dhe ndihem shumë mirë. (Kanceri) është thjesht një ndër ato gjërat (shtesë)”, u shpreh mbreti.
Lee Harman, 54 vjeç, tha se kishte ndarë me Charles betejën e tij me kancerin, pasi mbreti, në shkurt të vitit të kaluar, bëri me dije se ishte diagnostikuar me kancer dhe iu nënshtrua një operacioni për të trajtuar prostatën e zmadhuar, por beninje.
“Madhëria e Tij zgjodhi të ndajë diagnozën për të shmangur spekulimet dhe me shpresën se mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik për të gjithë ata në mbarë botën që preken nga kanceri,” thuhej në deklaratën e pallatit Buckingham.
Në mars, Charles u shtrua në spital për shkak të efekteve anësore nga trajtimi kundër kancerit. Si pasojë, mbreti u tërhoq përkohësisht nga angazhimet e tij mbretërore; megjithatë, muajin pasues ai iu rikthye punës.
Më 1 prill, Charles u shfaq në humor të mirë teksa drejtoi një ceremoni në kalanë Windsor në Angli.
Ndërsa ai ka folur rrallë për shëndetin e tij që nga diagnoza, në maj, një ndihmës i tij tregoi se si Charles po përballonte sëmundjen ndërkohë që vazhdonte të punonte.
“Gjëja që mëson rreth kësaj sëmundjeje është se ti thjesht e menaxhon dhe pikërisht këtë po bën ai,” i tha ndihmësi anonim The Telegraph asokohe.
“Mjekësia ka bërë përparime të jashtëzakonshme dhe unë sinqerisht nuk shoh asnjë ndryshim tek ai. Mjafton të bësh atë që thonë mjekët dhe të jetosh jetën sa më normalisht të jetë e mundur”, shtoi personi anonim.