Qeveria britanike ka njoftuar një fond shtesë prej 100 milionë paundësh për të forcuar luftën kundër trafikimit të paligjshëm të njerëzve në Kanalin Anglez, në një përpjekje për të frenuar rritjen rekord të emigrantëve që mbërrijnë në Britani me varka të vogla.
Sipas Ministrisë së Brendshme, fondet do të përdoren për të rekrutuar deri në 300 agjentë të rinj në Agjencinë Kombëtare të Krimeve (NCA), si dhe për të blerë teknologji dhe pajisje moderne që do të ndihmojnë në ndjekjen e rrjeteve kriminale ndërkombëtare që merren me trafikimin e njerëzve nga Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika.
Më shumë se 25,000 persona kanë kaluar Kanalin deri në fund të korrikut – një rekord i ri për këtë periudhë të vitit.
Qeveria gjithashtu po zbaton një program pilot me Francën, i cili synon të dekurajojë kalimet ilegale. Sipas skemës, disa emigrantë që mbërrijnë në MB do të rikthehen në Francë, në këmbim të pranimit të një numri të barabartë azilkërkuesish të kontrolluar.
Qeveria njoftoi gjithashtu një nismë ligjore të re që do të dënojë me deri në 5 vite burg këdo që reklamon në internet kalime ilegale drejt MB. Ligji synon të godasë ata që ofrojnë pasaporta false, viza ose punë të paligjshme në rrjete sociale apo faqe interneti.