Norvegjia, Suedia dhe Danimarka do të financojnë një paketë ushtarake prej 430 milionë eurosh për Ukrainën
Norvegjia , Suedia dhe Danimarka do të financojnë një paketë mbështetjeje për Ukrainën në kuadër të mekanizmit të ri SHBA-NATO, “Lista e Kërkesave me Prioritet për Ukrainën”, e dakordësuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump muajin e kaluar.
Paketa, e cila vlerësohet të ketë një vlerë totale prej rreth 430 milionë eurosh, do të përfshijë mbështetje për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, municionet dhe pajisjet e tjera thelbësore.
Në njoftimin për shtyp të qeverisë norvegjeze nuk janë bërë me dije detaje të paketës për arsye sigurie.
Suedia do të japë kontributin më të madh prej mbi 230 milionë eurosh, e ndjekur nga Norvegjia me rreth 120 milionë euro dhe Danimarka me rreth 80 milionë euro.
Kjo është paketë e dytë, pas asaj të njoftuar më herët nga Holanda për shpenzimin e rreth 500 milionë eurove me armë amerikane për Ukrainën sipas skemës së re.