Gjyqtari i njohur amerikan Frank Caprio ka ndërruar jetë të mërkurën në moshën 88-vjeçare, pas një beteje me kancerin e pankreasit. Lajmi u konfirmua nga i biri i tij, përcjell A2 CNN.
Caprio u bë i famshëm përmes emisionit televiziv “Caught in Providence”, ku shpesh shfaqej duke treguar dhembshuri dhe humanizëm ndaj qytetarëve që dilnin para gjykatës.
Vdekja e tij ndodhi vetëm një ditë pasi ai publikoi një video nga spitali, ku u kërkonte ndjekësve të tij të luteshin për të, pas një përkeqësimi të gjendjes shëndetësore. Ai e kishte bërë publike diagnozën e tij në vitin 2023.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, familja e gjyqtarit tha: “Trashëgimia e tij jeton në veprat e panumërta të mirësisë që ai frymëzoi”.
Në shenjë nderimi, guvernatori i Rhode Island njoftoi se flamujt në të gjithë shtetin do të ulen në gjysmë shtize për të kujtuar figurën e gjyqtarit Caprio.