Përmes një postimi në Facebook zv.kryemninistrit të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, bën të ditur se “pika e përbashkët kufitare Stanqiq-Bellanoc është gati dhe do të hapet këtë fundjavë…”
“Pas shumë vitesh stërzgjatje e ngecje, jam i lumtur që pika e përbashkët kufitare Stanqiq-Bellanoc është gati dhe do të hapet këtë fundjavë për qytetarët. Faleminderit Komisionit Shtetëror të Kosovës për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit e institucioneve të tjera për bashkëpunimin dhe Qeverisë maqedonase, që për një vit falë vullnetit politik, ka përfunduar ky projekt, i cili për vite të tëra ishte i bllokuar”, ka shkruar Hoxhaj.
Këtë informacion e kanë konfirmuar edhe nga kabineti i zv.kryeministrti të RMV, Bujar Osmani, kurse gazeta KOHA merr vesh se hapja e pikës së përbashkët kufitare Stanqiq-Bellanoc, do të bëhet nesër (e premte) me fillim në orën 11.
Projekti ndërkufitar Maqedoni e Veriut-Kosovë është realizuar me financimin e Bashkimit Evropian, mjete nga IPA programi, ndërsa është pjesë e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar.
Më 11 qershor 2018 ishte hedhur gurthemeli i pikës kufitare Bellanoc-Stançiç.Në këtë ngjarje kishin marrë pjesë, kryetari i Komunës së Likovës Erkan Arifi, Ministri i Ekologjisë Sadulla Duraki, Zv. kryemministri i Kosoves Enver Hoxhaj, kryetari i Gjilanit – Lutfi Haziri, Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar si dhe zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Ky i fundit me atë rast pat deklaruar:
„Sot vendosëm gurthemelin në vendkalimin e përbashkët kufitar dhe për një objekt shprehimisht të përbashkët të të dyja shteteve, e bënë këtë projekt më një dimension jashtëzakonisht të rëndësishëm politik edhe për marrëdhëniet e shkëlqyerat mes dy vendeve, të cilat me këso projektesh sa vijnë e po thellohen . Përmes këtij vendkalimi ka për tu lehtësuar qarkullimi i përbashkët i qytetarëve të këtyre komunave dhe komunave fqinje, gjë që është parakusht edhe për rritjen e shkëmbimeve ekonomike-tregtare mes këtyre zonave, potencial i fuqishëm për të bërë biznes e për të siguruar mirëqenie e prosperitet ekonomik. Pra ky objekt ,ka për të reflektuar në rritjen e treguesve ekonomik –tregtar të bashkëpunimit dypalësh, me benifite evidente për të dyja shtetet dhe qytetarët- “ theksoi Osmani.