Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë një person të dyshuar për të shtënat dhe vrasjen e Charlie Kirk në Universitetin e Luginës së Utah-it, teksa zbret nga një çati dhe vrapon në rrugë. Sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një burimi nga forcat e rendit, policia beson se ka identifikuar emrin e një personi të dyshuar. Megjithatë, deri tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti. Emri i të dyshuarit nuk është bërë publik.
Hetuesit kanë ndjekur disa gjurmë, përfshirë një shenjë pëllëmbe, një gjurmë këpucësh dhe një pushkë gjuetie të gjetur në një zonë pyjore përgjatë rrugës së arratisë së vrasësit. Autoritetet kanë publikuar gjithashtu një foto të një personi me kapelë, syze dielli dhe një bluzë të zezë me mëngë të gjata, që mbante një çantë shpine.
Më herët, FBI publikoi edhe disa foto të autorit të dyshuar. Gjithashtu agjencia federale e hetimit ka vendosur një shpërblim për çdo person që do tu japë hetuesve informacione të rëndësishme që do të çojnë në kapjen e autorit. Charlie Kirk u vra në një kampus universitar në UTAH, teksa po zhvillonte një nga debatet e tij të hapura me studentët, të mërkurën.