Propozimi i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për djegien e mandateve, u mbështet unanimisht nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por demokratët nuk pritet ta lënë sot mandatin e deputetit.
“Grupi parlamentar i PD-së vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD-së në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafies, në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017”, tha Basha.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, shqetësimi kryesor ishte nëse nga spostimi i listës mund të përfitojnë kandidatë të opozitës, të cilët sot mbështesin socialistët, si rasti i Lefter Maliqit në Berat, raporton Top Channel.
Pati zëra të cilët kërkuan që mandatet t’i lënë edhe kryebashkiakët, ndërsa dikush tjetër u shpreh skeptik për efektin që do të ketë lënia e mandatit, një opsion që opozita e ka provuar edhe më herët, duke shkuar në limitet e djegies, por pa efekt.
Ndërsa Sali Berisha, i pari që ka folur për djegien e mandateve, u shpreh se nëse nuk merret ky akt ekstrem, Edi Rama nuk ndalet në formë tjetër. Një grup pune u ngrit menjëherë për të gjithë ata që kërkuan që procesi i lënies së mandateve të mos zvarritet pafund. Vendimi i demokratëve mori mbështetjen e menjëhershme të aleatëve historikë.
Pasi mori garancinë e aleatëve, Basha iu dha përgjigje komenteve të Ramës se “opozita luan bllofin me mandatet”. “Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë 28-vjeçare të pluralizmit. E gjithë opozita ka marrë një vendim për t’iu bindur urdhrit të qytetarëve shqiptarë, që u derdhën me trajtën dhe formën e sovranit në protestën mbarëkombëtare të 16 shkurtit. Të tjerat janë budallallëqe për të devijuar të vërtetën. E vërteta është kjo: Edi Rama nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Parlamenti nuk është legjitim”, tha Basha.
Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmoi e fundit lënien e mandateve. “Grupi i LSI-së vlerëson se djegia e mandateve është rruga e vetme për të kthyer legjitimitetin e qeverisjes së Shqipërisë, prandaj ai vendosi sot djegien e mandateve”, tha e para LSI-së, Monika Kryemadhi.