Situata në RTSH vazhdon të jetë e nderë.
Këtë radhë është moderatori i emisionit të mëngjesit, Florian Agalliu, që tregon jo vetëm se nuk janë paguar, por drejtoresha Eni Vasili nuk iu kthen përgjigje për situatën e krijuar.
Letra e Agalliut
E nderuara drejtoreshë e RTSH zj.Eni Vasili ,
Shpresoj që kjo letër t’ju gjejë në gjendje të mirë dhe të qetë – atë qetësi që duhet të ketë kushdo që mban mbi supe emrin e RTSH-së, një institucion që meriton më shumë dinjitet sesa heshtje.
Duke iu drejtuar me respektin e duhur, atë që ju dhe ata që sollët nga pas nuk e treguat kurrë ndaj nesh, dua t’ju rikujtoj një “detaj” të vogël por shumë të rëndësishëm: ekipi i Emisionit të mëngjesit– një program i miratuar dhe i strukturuar nga vetë RTSH – ende pret pagesat e prapambetura. Po, ato pagesa që duket sikur kanë humbur rrugën dhe kanë mbetur diku mes zyrave tuaja.
Ne kemi sakrifikuar mëngjeset tona (4:30 është një orë që edhe zogjtë e shohin me frikë), kemi sjellë në ekran profesionalizëm, energji dhe përkushtim. Por, ndryshe nga entuziazmi ynë, shpërblimi ka mbetur pezull – ndoshta harruar në ndonjë sirtar të mbyllur me dryn , ndoshta i bllokuar në ndonjë proces burokratik që ka marrë pushime më të gjata se vetë stafi juaj.
Kështu që, meqë transparenca nuk është luks por detyrim, ju lutemi të na informoni qartë:
•Kur do të kryhen pagesat e prapambetura?
•A ka një afat zyrtar që ne mund t’i referohemi, apo duhet të vazhdojmë të hamendësojmë si fallxhorë?
•Dhe si ndodh që edhe dera e protokollit – e vetmja shpresë për komunikim – u mbyll si të ishte një sekret shtetëror?
Por falë Postës Shqiptare unë mbërrita në dorën tuaj me letrën që ju kam nisur muaj më parë, si dashnorët dikur sepse ju nuk keni më një zyrë protokolli , atë e keni spostuar ne paradhomën tuaj që të siguroheni mirë që askush që nuk doni ju, mos t’ju gjejë kollaj.
Meqë nuk u munduat të merreni me ne “mengjezarakët”, ne “3orshat” e transmetimeve live , pa dhënë asnjë përgjigje , vendosa t’ju shkruaj publikisht.
Kjo heshtje nuk është vetëm e pafalshme, është fyerje për njerëzit që punuan dhe punojnë për këtë institucion.
Dhe , nëse më lejoni një shaka të vogël:
PO PREZANTUESIT E RINJ SI DO T’I PAGUANI KUR NUK KENI LIKUJDUAR AKOMA TË VJETRIT APO EDHE ATA DO TË USHQEHEN ME PREMTIME?
Në pritje për një përgjigje të qartë dhe zyrtare , duke uruar që të jetë më shumë sesa një forme e re heshtjeje.
Me respekt,
Florian Agalliu