Bashkimi Evropian ka shtyrë prezantimin e paketës së 19-të të sanksioneve kundër Rusisë pas kërkesave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të vendosur kufizime më të rrepta.
Komisioni Evropian pritej të paraqiste paketën e re të sanksioneve në një takim të diplomatëve të BE-së të mërkurën, më 17 shtator. Por Shtetet e Bashkuara filluan të ushtronin presion mbi aleatët e tyre të G7 për të futur tarifa 100% mbi naftën ruse të blerë nga Kina dhe India, si dhe për të ndërmarrë hapa shtesë për të detyruar Putinin të negociojë me Ukrainën.
Sipas burimit, G7 aktualisht po punon për një paketë të re sanksionesh dhe synon ta finalizojë tekstin brenda dy javëve të ardhshme.
Deri më tani, Trump është përmbajtur nga vendosja e sanksioneve të drejtpërdrejta kundër Rusisë, pavarësisht se nuk janë respektuar afatet që i kishte vendosur vetes dhe pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm të Putinit për të negociuar përfundimin e luftës.
Trump tha se ishte gati të vendoste sanksione serioze ndaj Rusisë, por vetëm nëse të gjitha vendet e NATO-s bënin të njëjtën gjë dhe ndalonin blerjen e naftës ruse.
Propozimi i SHBA-së e zhvendos përgjegjësinë mbi Evropën. Tarifat ndaj Indisë dhe Kinës do të ishin të vështira për BE-në, pasi shumë vende, përfshirë Gjermaninë, mbështeten në këto tregje eksporti.
Ndërkohë, Presidenti Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë të marrë një “qëndrim të qartë” mbi sanksionet kundër Rusisë dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën në mënyrë që të ndalojë udhëheqësin e Kremlinit dhe t’i japë fund luftës.